Organizatori i koncerteve në vende të ndryshme të Greqisë, Ari Kasapi, ka reaguar pas akuzave që i bën këngëtarja Irma Libohova.  Kasapi refuzon të pranojë akuzën. Sipas tij, pretendimet e këngëtares nuk janë të vërteta dhe është i gatshëm që ta provojë këtë në çdo rast e kohë!

“Unë jam këtu, nuk kam nevojë të fshihem dhe jam i gatshëm të përgjigjem për çdo gjë. Irma Libohova është paguar, ka pasur vetëm një diferencë prej 100 eurosh. Biseda fillestare u bë për ta paguar me 1200 euro, ndërsa mori 100 më pak, pjesën tjetër e ka marrë. Se çfarë kërkon tani, do ta zgjidhë gjykata”.

Kasapi pohon se këtë nuk mund ta vërtetojë me mesazhe të shkëmbyera, sepse sipas tij, këngëtarja nuk linte asgjë të shkruar, komunikonte vetëm me thirrje telefonike në Viber.

“Për mua ajo është e shlyer, sepse ajo bisedë u bë që në fillim. Ulja që iu kërkua asaj iu kërkua edhe këngëtarëve të tjerë të pranishëm, të cilët gjithashtu ranë dakord. Mund të lidheni me secilin prej tyre dhe të pyesni nëse janë bërë apo jo pagesat”. E gjithë zhurma, siç u kuptua, është bërë për koncertin që është zhvilluar me rastin e festave të 7-8 marsit (të mbajtur një ditë më parë) në Rodos të Greqisë. Në të kanë qenë të pranishëm edhe disa këngëtarë të tjerë, si: Aleks Micka, Andi Cuno, Thoma Loli, Landi Brahushi dhe Durim Zhupani. Me pjesëtarët e tjerë, Ari Kasapi ka pasur komunikime të vazhdueshme me mesazhe të cilat, me këtë rast, i ka bërë publike, për të treguar se akuzat e këngëtares Irma Libohova nuk janë të vërteta.

“Sa më i drejtë të jesh sot, aq më shumë përfitojnë njerëzit. Respekte Ari Kasapi. Unë flas, sepse kam qenë vetë në dy nga koncertet e realizuara në Rodos dhe në Kos nga Ari Kasapi dhe i kam marrë të gjitha pagesat e premtuara. Gjithë respektin për Ari Kasapin nga unë dhe kolegu im XXX.”.

Këtij mesazhi mbështetës, Kasapi i është përgjigjur: “Unë kam qenë korrekt me të deri në momentin që hipi në avion, por zonja ka pasur qëllime të tjera”. Sikurse Libohova ka pasur mbështetësit e saj, që pohuan se organizatorë të tillë, jokorrektë, ka disa, edhe Kasapi ka nga ata që pohojnë se Libohova nuk është e vetmja që bën zhurma të tilla, të kota.

A keni pasur bashkëpunime të mëparshme me këngëtaren Irma Libohova, përpara koncertit të 6 marsit, në Rodos të Greqisë?

Marrëdhënie profesionale jo, por njiheshim prej kohësh. Hera e parë që ka qenë pjesëmarrëse, ishte në koncertin që sapo shkoi.

A u përpoq të lidhej me ju përpara se t’ju akuzonte publikisht, sepse Libohova shkruan që ju ka dërguar disa mesazhe dhe nuk i jeni përgjigjur?

Jo, as më ka marrë e as më ka shkruar. Madje këtë të fundit nuk e bënte asnjëherë, komunikonte vetëm me thirrje. Më mori një gjykatëse nga Tropoja, në orën 12 të natës, dhe na njoftoi për statusin që Irma kishte shkruar. Ajo vetë më ka bllokuar në Facebook. E mora në telefon, por më nxori një trim që më kërcënoi dhe pastaj më bllokoi edhe në telefon.

Pse mendoni se e ka bërë këtë akuzë?

Diku, në një koment, shkruani se kishte qëllime të tjera…

Për çfarë bëhet fjalë?

Më vjen keq, këto janë shumë personale, do t’i them vetëm në gjyq.

/panorama/