Nëse mendoni se ne jemi vetëm 20 vjeçe për t’ju ndryshuar mendjen për origjinalitetin dhe rëndësinë që ka ai atëherë besojini Shakespeare që ka thënë: “Zoti të ka dhënë një fytyrë, mos i shto tjetër vetes” ose Oscar Wilde: “ Bëhu vetja jote, çdo njeri tjetër është i zënë”

Për të shkruar këtë artikull ideja na erdhi  nga çantat Louis Vuitton të cilat i shohim kudo, në çdo vend, madje nganjëherë ndihemi si të pushtuara nga ato. Teksa e diskutuam me njëra tjetrën tema u bë më e gjërë. sa shumë gjëra kopjojmë. Sikur të ishin vetëm çantat! Kopjojmë mënyrën e të veshurit, tatuazhet, kopjojmë vendet që frekuentojmë, jo se na pëlqejnë, por për të qënë sa më shumë popullorë. Dhe sa e sa të tjera. Por, sa origjinal jemi? Do i japim pyetjes përgjigje rrugës. Duke ecur rrugëve të qytetit kudo që të hedhësh sytë do të shohësh një farë falsiteti ose imitimi, qoftë në mënyrën të veshurit apo të sjellurit që pavarësisht se mund ta quajmë në shumë mënyra, përfundimi është një i vetëm, larg, shumë larg origjinalit. Kopjimet fillojnë nga këngëtarja e tyre e preferuar, modeli i preferuar mashkull e deri tek shoku ose shoqja që është më i pëlqyer në shoqëri. Kryesisht kopjimet kryhen nga adoleshentët që janë mosha më delikate dhe që ende janë në përpjekje e sipër për të gjetur vendin e tyre në shoqëri. Idhujt në këtë moshë luajnë një rol dominant në përcaktimin e shijeve dhe gustove të adoleshentëve në muzikë, modë, aktivitete sportive etj.

Ҫantat

Kudo çanta Louis Vuitton e Channel. Ngado ti hedhesh sytë imitime aq sa dhe ato që i kanë origjinale stepen t’i mbajnë sepse do mendojnë të tjerët: “Ja një tjetër me imitime”  Por përse? Emrin i blejmë çantave apo bukurinë e tyre? Nuk ka përse të blejmë imitime të punuara keq kur mund të blejmë me një vlerë normale një çantë jo firme e cila vërtetë mund të jetë shumë e bukur dhe mund të kombinohet lehtësisht me garderobën e secilës prej nesh.



 

Veshje

Po bluzat ARMANI, GUCCI, D&G. Një stilist i këtyre përmasave nuk do ta stamponte kurrë emrin në një material të atillë. Sa e sa emra stilistësh shohim në rrobat që tregtohen në butikët e qytetit tonë. Përse tërhiqemi gjithnjë nga emrat e stampuar në bluza, fustane, pan tallona etj? Nëse vërtet do të ishin originale nuk do të tregtoheshin asnjëherë me çmimet që u serviren klientëve. Një këshillë për ju vajza dhe djem. Nuk krijon stil një veshje që ekspozon vetëm emrin e një stilisti, por që dallohet nga shume km larg që është imitim. Kësaj i thonë: “Përpiqemi të rregullojmë vetullën e nxjerrim syrin”. Tentoni të tregoni kujdes në veshjet që blini, në materialin me të cilin janë krijuar si dhe mënyrën e të qepurit. Në fund të fundit ajo veshje duhet t’ju përfaqësojë ju dhe jo ju të përfaqësoni një produkt të imituar e pa cilësi.



 

Frekuentimi i jetës së natës

Erdhi vera. Më shumë liri, Jeta e natës është një tendencë mjaft e ndjekur jo vetëm nga të rinjtë, por edhe nga grupmosha të ndryshme.  “Ku të shkojmë?”,- është pyetja që shqetëson shumë prej nesh.

– Në atë lokalin e bukur buzë detit? Jo aty jo, sepse ai lokal është bosh. Të gjithë njerëzit trendy rrinë në “X” lokal. Ja pra, një bisedë tipike. Në ditët e sotme, njerëzit nuk drejtohen tek gjërat që duan apo që parapëlqejnë, por tek gjërat që duhen bërë sepse i  bëjnë edhe të tjerët. Nëqoftëse nje lokal është i frekuentuar nga “elita e adoleshentëve” atëherë të gjithë do të shkojnë atje të ekspozohen. Ta tregojnë veten si një pikturë në ekspozitë, për të mos thënë gjë tjetër.



 

Tatuazhet

Në këtë temë nuk di çfarë të flasësh më parë. Për tatuazhin karakteristik te gishti i unazës, tatuazhin në qafën e Rihanne-s, yjet e vogla që ju kopjuan nga shumë të reja. Ose për putrat në trup ose shprehjet e ndryshme nëpër trup?

Po ç’kuptim ka një tatuazh i imituar? Tatuazhi është arti i trupit. Është diçka personale. Një tatuazh shpreh diçka që ti do ta shprehësh në trupin tënd për gjithë jetën. Që të jetë aty dhe t’ja vlejë edhe pas shumë vitesh duhet të ketë kuptim personal. Mund të jenë inicialet e familjes ose gjithçka tjetër, një shkronjë, një fjalë, një simbol, një vegël muzikore. Një tatuazh mund të jetë gjithçka. Por ajo gjithçka nuk duhet të jetë e kopjuar nga idhulli yt, sepse në fund të fundit ajo shenjë do të mbetet në trupin tënd. Do të të shoqërojë gjithë jetën. Kështu para se të merrni vendimin për të bërë një tatuazh mendojeni mirë para se ta bëni, sepse jo gjithçka që është në modë sot do të vazhdojë të jetë gjithmonë. Në këtë shoqëri konsumi gjërat dhe shijet ndryshojnë shumë shpejt, kështu që mundohuni të fitoni në rradhë të parë sigurinë dhe respektin për veten tuaj. Origjinaliteti dhe thjeshtësia qëndron mbi çdo gjë.



 

Adoleshentet, vajza

E keni parasysh atë vajzën nëpër filma? Atë që është mbretëresha e mbrëmjes së maturës, që i shkojnë të gjithë çunat nga mbrapa, që e kalon gjithë kohën duke u kuruar për thonjtë, që zakonisht nuk është e zgjuar, nuk shkon mirë me mësimet, por që është e bukur? Asgjë tjetër veçse e bukur. Të gjitha filmat me të cilat jemi rritur gjatë fëmijërisë tonë na kanë treguar që nuk duhet të jemi si ajo, që gjithmonë fiton zgjuarsia. Fiton thjeshtësia, vajzat e mira, të edukuara, të thjeshta. Por, shumë nuk e kanë kuptuar mesazhin siç duhet. Ekziston dhe në realitet ky mit. Por nuk është një vajzë. Zakonisht është një grup, që shumë vajza të tjera duan t’i imitojnë, thjesht të kenë vend në shoqëri. Në këtë mënyrë e fillojnë nga kopjimi i veshjeve të ekzagjeruara, fustaneve, dekolteve, lokaleve, takave super të larta që në moshë të vogël e deri tek shkolla, sepse të urresh shkollën në ditët e sotme është shumë “Cool” e më e keqja duhani, sepse që të biesh sa më shumë në sy duhet të pish cigare.



 

Adoleshentët, djem

Djemtë nuk kanë probleme veshjesh. Faktikisht, ata që paragjykohen janë ata që përpiqen të kenë stil, sepse pjesa tjetër janë të gjithë njësoj. Bluzë me vija, xhinse, komplet sportiv. Përsa i përket lokaleve ato shkojnë në lokalet ku mblidhen vajzat më të bukura. Të gjithë djemtë shkojnë atje. Dhe ato mundohen të rrijnë ose të kopjojnë djemtë “elitë”, të cilët përgjithësisht lëvizin me makina ose motorë dhe ecin me shpejtësi. Një trend tjetër është cigarja. Të gjithë djemtë e pijnë dhe të gjithë duan ta lënë, por kjo ditë nuk vjen kurrë. Dhe ah, nuk je çun i kohës nëse kur ulesh në tavolinë nuk vendos sipër tavolinës, çelësa makine, portofol, celular (mundësisht Iphone). Nëse je i pajisur me të gjitha këto atëherë je në rregull, megjithëse asnjëherë personaliteti i një njeriu nuk duhet vlerësuar nga objektet që e rrethojnë, por nga karakteri, inteligjenca dhe karizma që arrin të përcjellë tek grupi i tij shoqëror.