Ç’është Osteoporoza?

Osteoporoza është një sëmundje e cila dobëson kockën duke ulur densitetin e indit kockor me kalimin e kohës. Është sëmundja më e shpeshtë e kockave. Kërkimet e fundit tregojnë se rreth 20% e grave mbi 50 vjeç kanë osteoporozë. Pak a shumë gjysma e grave mbi 50 vjeç  pësojnë frakturë të bacinit, të kyçit të dorës apo të kolonës vertebrale.

Normalisht, çdo organizëm është i aftë të krijojë kockë të re dhe të përthithë kockën e vjetër, aktivitete të cilat janë në ekuilibër perfekt ndërmjet tyre. Ky proces ndodh në çdo ind të organizmit, dhe indi kockor nuk bën përjashtim. Prishja e raportit ndërmjet riformimit kockor dhe përthithjes në favor të kësaj të fundit çon në osteporozë.

Kalciumi dhe fosfori janë dy elemente esenciale për formimin normal të kockës. Në rini organizmi i përdor këto elemente për të prodhuar kockë. Në qoftë se nuk marrim kalcium sa duhet, apo nëse trupi nuk përthith sasinë e nevojshme të kalciumit nga ushqimi, atëherë prodhimi kockor cënohet.

Me kalimin e moshës, kalciumi dhe fosfori mund të ripërthithen përsëri nga kocka në organizëm, fenomen i cili sjell dobësimin e indit kockor. Si rezultat, kockat bëhen më të brishta, thyhen më lehtë, edhe pa pësuar ndonjë traumë të madhe.

Humbja e indit kockor ndodh gradualisht, me kalimin e viteve. Shpesh një person mund të pësojë frakturë pa e kuptuar që osteoporoza është prezente. Në momentin e pësimit të frakturës, sëmundja mund të jetë në stade të avancuara dhe të ketë bërë mjaft dëm.

Cilat janë shkaqet e osteoporozës?

Shkaku kryesor i osteoporozës është një rënie e nivelit të estrogjenit në femrat në menopauzë, apo e testosteronit te burrat. Gratë mbi 50 vjeç dhe burrat mbi 70 vjeç janë më të prirur për osteoporozë. Por ka edhe shkaqe të tjera:

Regjimi i shtratit

Sëmundjet kronike reumatizmale, sëmundjet kronike të veshkave, çrregullimet e të ushqyerit

Marrja e kortizonit për një kohë të gjatë

Hiperparatiroidizmi (mbiprodhim i hormoneve të gjëndrës paratiroide)

Mungesa e vitaminës D

Ekzistojnë edhe disa faktorë që ndihmojnë prezencën e osteoporozës:

Histori familiare për osteoporozë

Mungesa e menstruacioneve (amenorrhea) për një kohë të gjatë

Marrja e ekzagjeruar e alkolit

Trajtimi hormonal për kancerin e prostatës apo kancerin e gjirit

Gjendja nën peshën normale

Duhani

Dietat e varfra me kalcium

Si ta diagnostikojmë osteoporozën?

Zakonisht nuk ka simptoma në fazat e hershme të sëmundjes. Në fazat e vonshme të sëmundjes, simptomat kryesore janë këto:

–     Dhimbjet kockave

–     Frakturat me traumë të vogël ose pa traumë fare

–     Dhimbjet e mesit apo të qafës si pasojë e frakturave të shtyllës kurrizore

–     Deformime të posturës, kifoza ose “gungacët”

Ekzistojnë një sërë ekzaminimesh që na ndihmojnë për të matur sasinë e  kockës. Më i zakonshmi është densitometria kockore. Me anë të tij mund të parashikojmë rrezikun për të pësuar frakturë në të adhmen. Për fat ky ekzaminim tashmë mund të kryhet lirshëm në çdo institucion mjekësor në Shqipëri. Radiografitë e thjeshta të kolonës ose të bacinit mund të tregojnë një rënie të densitetit kockor, megjithëse me to është e pamundur të parashikosh mundësinë e frakturimit. Në raste të rralla mund të përdoret edhe një lloj i veçantë skaneri, tomografia e kompjuterizuar sasiore, i cili tregon akoma më saktë hmbjen e densitetit kockor. Nëse shkaku i osteoporozës rezulton të jetë nga semundje të tjera, atëherë duhet të kryhen edhe një sërë analizash të tjera.

Si ta kurojmë osteoporozën?

Qëllimi i trajtimit të osteoporozës është:

                –    Kontrolli ndaj dhimbjes që shkakton sëmundja

                –    Frenimi i procesit të humbjes kockore

                –    Parandalimi i frakturave me anën e medikamenteve që forcojnë kockën

                –    Kujdesi ndaj rrezimeve që mund të shkaktojnë fraktura

 Trajtimi i osteoporozës përfshin si ndryshimet në stilin e jetesës ashtu edhe terapinë me medikamente të ndryshme. Trajtimi me medikamente fillon nëse osteoporoza konfirmohet me ekzaminimin e densitometrisë kockore, nëse ndodh apo jo frakturë.

Ilaçet për këtë qëllim janë:

Bisfosfonatetjanë ilaçet krysore në parandalimin dhe trajtimin e osteoporozës në gratë postmenopauzale. Zakonisht merren nga goja një herë në javë ose një herë në muaj. Në këtë grup medikamentesh përfshihen alendronatet  (Fosamax), ibandronatet (Bonviva) dhe risendronatet (Actonel). Bisfosfonatet që merren me rrugë intravenoze përdoren rrallë.

Kalcitoninaështë një medikament i cili frenon humbjen kockore dhe lehtëson dhimbjen nga kockat. Merret në formë injeksioni ose spray nasal (nga hunda). Efekte anësore ka irritimin e mukozës së hundës nga spray dhe të përzierit nga injeksionet.

Terapia e zëvendësimit të hormoneve ose estrogjenet përdoren relativisht rrallë për parandalimin e osteoporozës dhe nuk rekomandohen për trajtimin e një gruaje me diagnozë të konfirmuar. Megjithatë nëse pacientja e ka të pamundur t’i nënshtrohet formave të tjera të trajtimit dhe nëse estrogjenet e kanë ndihmuar përmirësimin e saj, mjeku mund ta rekomandojë vazhdimin e terapisë hormonale. Gjithsesi efektet anësore të këtij trajtimi duhen patur mirë parasysh nga mjeku dhe pacientja.

Hormoni paratyroid ose teriparatide (Forteo)është një trajtim i aprovuar për gratë postmenopauzale me osteoporozë të formës së rëndë dhe që kanë rrezik të lartë për të pësuar fraktura. Mjekimi merret me injeksione subkutane (nën lëkurë) të përditshme të cilat mund të aplikohen edhe vetë në shtëpi.

Raloxifeni (Evista)përdoret si në parandalimin, ashtu edhe në trajtimin e osteoporozës. Raloxifeni është i ngjashëm me tamoxifenin që përdoret në kancerin e gjirit. Është një preparat i cili mund ta reduktojë rrezikun për fraktura të kolonës vertebrale deri në 50%. Megjithatë efekti i tij lë për të dëshiruar në parandalimin e frakturave të bacinit. Mendohet të ketë efekt mbrojtës në sëmundjet e zemrës dhe në kancerin e gjirit, ndërkohë që efektet anësore ( trombozë e venave të thella të këmbës, trombemboli pulmonare) duhen patur parasysh.

Ushtrimet mund të reduktojnë shanset për të pësuar fraktura në pacientet me osteoporozë. Ushtrimet më të rekomandueshme janë:

Ecja, vrapimet, tenisi, vallëzimi

Palestra (aparatet me pesha, strecing, aparatet e vozitjes)

Ushtrimet e balancës (joga)

Biçikleta jolëvizëse

Duhen shmangur ushtrimet që kërkojnë forcë të madhe apo ato që paraqesin rrezik rrëzimi.

 

Dieta

Të paktën 1200 mg kalcium dhe 800-1000 UI vitamine D duhen marrë përditë. Vitamina D ndihmon organizmin të përthithë kalciumin. Mjeku mund të rekomandojë shtesë me kalcium dhe vitamine D nëse është e nevojshme. Dieta e pasur me sasinë e duhur të kalciumit dhe vitaminës D ndoshta nuk e ndalon humbjen kockore, por ajo garanton furnizimin e organizmit me materialet e nevojshme për të formuar dhe ruajtur indin kockor. Ushqimet e pasura me kalcium janë:

Djathi

Akullorja

Gjethet jeshile të zarzavateve

Qumështi me pak yndyrë

Salmoni

Sardelja (bashkë me kockën)

Kosi

Heqja dorë nga veset

Nëse jeni duhanpirës, duhet lënë patjetër. Alkoli duhet kufizuar, sasitë e mëdha të alkolit në gjak mund të dëmtojnë indin kockor. Gjithashtu ky nivel i lartë i alkolit në gjak shton rrezikun për t’u rrëzuar dhe për të pësuar frakturë.

Kujdesi nga rrëzimet është mjaft i rëndësishëm. Duhen shmangur medikamentet të cilat shkaktojnë përgjumje, duhen hequr pajisjet shtëpiake që mund të pengojnë pacientin. Duhen marrë masa që shikimi të jetë i mirë. Për të parandaluar rrëzimet gjithashtu duhet:

Mos ecni vetëm në ditët me ngricë

Vendosni parmakë në banjo

Përdorni këpucë të përshtatshme

Përgjigja e organizmit ndaj trajtimit duhet monitoruar me ekzaminime të densitometrisë kockore çdo 1-2 vjet.  Gratë që trajtohen me estrogjen duhet t’i nënshtrohen sistematikisht mamografive dhe Pap testit.

Osteoporoza mund të shkaktojë paaftësi si pasojë e dobësimit të indit kockor dhe frakturave. Me shumë se gjysma e pacientëve që pësojnë fraktura të bacinit janë të pamundur për të ecur vetë.

Parandalimi i osteoporozës është thelbësor:

Dieta e pasur me kalcium

Mosteprimi me alkol

Lënia e duhanit

Ushtrime fizike