Zv/kryeministrja Belinda Balluku, njëherazi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka qenë në Agjencinë Kombëtarë të Ujësjellës Kanalizimeve të Vlorës ku ka denoncuar sipas saj një skemë korruptive. Ajo theksoi se e gjithë kjo skemë ka shkuar në dëm të qytetarëve vlonjatë. 

Pas reformës, Balluku tha se sektori e mbylli vitin 2023 me rezultate pozitive. E vetmja ndërmarrje me probleme financiare sipas saj është ajo e Ujësjellës Kanalizimeve Vlorë. Kjo, sipas ministres, për shkak të kësaj skeme korruptive. Ajo paralajmëroi se çështja do të shkojë në SPAK. 

“E vetmja ndërmarrje që ka një problem të jashtëzakonshëm financiar është ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve e Vlorës. Do ta kuptoja paaftësinë e drejtuesve. Do të kuptoja keqmenaxhimin sepse njerëz jeni. Ndoshta nuk ia dilni, por që të abuzohet në kurriz të qytetarëve të Vlorës, të jemi sot në risk që të mos kemi mundësi që të ofrohet shërbimi ashtu siç duhet sepse një grup, një dorë njerëzish këtu ka vendosur që të marrë paratë e kompanisë dhe t’i keqpërdorë për qëllimet e veta kjo është diçka që ju duhet ta dini sot zyrtarisht, që unë kam ardhur këtu t’ju bëj me dije që kjo nuk është një çështje që do të ngelë në dollapët dhe sirtarët e ministrisë, por është një çështje që do të ndiqet penalisht, thellësisht për secilin që ka marrë pjesë në këtë abuzim, për të gjithë aktorët e përfshirë, pa përjashtuar këtu askënd. 

Nga dizejnuesi i skemës korruptive dhe deri tek ekzekutuesit më të lartë të kësaj skeme. Kjo është detyrë e imja personale dhe e stafit të MIE dhe do t’i shkohet deri në fund. Mendova që ishte më mirë t’ua thoja vetë që mos ta kishit surprizë kur të shikoni dosjen që do të çoj në SPAK sepse është e mirë që të përgatiteni dhe ata që kanë bërë atë që kanë bërë të marrin dhe masat meqenëse se avokatët i keni dhe i keni përdorur për skemën korruptive, përdorini tani për t’ju mbrojtur tek skema korruptive. Kjo histori do bëhet publike pasi kemi 2 muaj që i kemi shkuar deri në rrënjën e fundit, aty ku është ngjizur kjo skemë, që ta dini”, tha ministrja. 

Sipas ministres vetë juristët që mbronin ndërmarrjen e kanë çuar UKV-në në gjyq. 

“Është bërë ekzekutimi i përkohshëm i detyrueshëm që në shkallë të parë. Vetë juristët e Ujësjellës Kanalizimeve të Vlorës të kësaj sh.a, ata që duhej të mbronin shtetin nga ky ekspozim, ata vetë ndërkohë që shkonin në gjyq gjasme për të mbrojtur UKV e kishin hedhur vetë në gjyq, madje e kishin fituar dhe gjyqin, madje kishin marrë dhe paratë”, tha ajo. 

“Nuk e di kush e ka pasur këtë siguri të jashtëzakonshme që shteti do flinte gjumë dhe ju do vazhdonit këtë dhe do kopjonit njëri tjetrin dhe do t’ju çonte mjeshtri i parë që bëri zbulimin, do t’ju merrte për dore dhe do t’ju çonte një për një po tek i njëjti grup. Aty ku shkruhej kallëzimi, aty ku dërgohej kallëzimi, aty ku gjykohej kallëzimi dhe aty ku pastaj përmbaruesi merrte paratë”, shtoi ministrja. 

Ministrja shpjegoi edhe si ka funksionuar kjo “skemë”. 

“E perceptoni këtë juridikisht si parim se jeni kaq kohë punonjës të administratës lokale? Pra ti çon shtetin në gjyq sepse pretendon që nuk të është paguar vjetërsia në punë, 2%. Por nuk mjaftohesh tek vjetërsia në punë, pasi të kanë mësuar që këtë vjetërsi në punë duhet ta trajtosh sikur është biznes. Pra vjetërsia në punë që në të gjitha rastet e përllogaritura nga ne shkon nga 100 mijë lekë deri në 200 mijë lekë ose 1 mln të vjetra deri në 2 milionë të vjetra, me shtesat që i kanë bërë paditësit ka arritur në 100 milionë të vjetra. D.m.th për vështirësinë në punë ekuivalente të përllogaritur nga ne 1 milion të vjetra, në gjykatë i është marrë kësaj sh.a 100 mln (lekë) për një punonjës. Është marrë sepse ka detyrim i padituri t’i paguajë palës paditëse shtesën në pagë për vjetërsi pune në masën 2% në vit. Detyrimi i të paditurit t’i paguajë palës paditës kontributin për sigurimet shoqërore shëndetësore dhe tatimin mbi të ardhurat personale mbi shtesën e pagës së papaguar. Detyrimin për të paguar fitimin e munguar dhe kamatvonesat për vlerat e papaguara të shtesës në pagë për vjetërsi në punë”, tha ministrja.