Gjyqtarja Suela Xhani do të shqyrtojë padinë që mund të ndikojë në procesin zgjedhor të 23 majit për kreun e Partisë Demokratike.
Ajo është përzgjedhur me short për të marrë në shqyrtim kërkesën e Mereme Sela, e cila kundërshton përjashtimin e saj nga gara për drejtimin e partisë.
Sela ka paditur Partinë Demokratike me argumentin se u përjashtua nga gara me një vendim të paarsyetuar, të pamotivuar dhe në mungesë transparence procedurale. Sela tha se përjashtimi është bërë “në shkelje të drejtpërdrejtë të të drejtave të saj statutore dhe parimit të barazisë në konkurrim.”
Në padi po ashtu thuhet se organet e partisë kanë lejuar kandidimin e Sali Berishës, në kundërshtim flagrant me ndalimin e parashikuar në statut, pasi neni “Basha” (neni 46) sanksionon se kryetari që humb zgjedhjet duhet të largohet nga drejtimi i partisë.
Mereme Sela i është drejtuar gjykatës me 5 kërkesa:
1. Shpallja e pavlefshme absolute e vendimit për skualifikimin e paditëses nga gara për Kryetar të PDSH-së;
2. Detyrimi i palës së paditur për rikthimin e paditëses në garë;
3. Shpallja e pavlefshme absolute e kandidimit të Sali Berisha;
4. Konstatimi i shkeljes së rëndë të statutit dhe parimeve të demokracisë së brendshme;
5. Vendosja e masës së sigurimit të padisë: pezullimi i menjëhershëm i procesit zgjedhor të datës 23.05.2026 deri në përfundim të gjykimit.





