Turizmi malor dhe investimet për rigjallërimin e tij vijojnë të mbeten një prioritet, tashmë i përforcuar me një paketë të re të mbështetjes për investimet në këto zona, e cila do të inkurajojë banorët vendas të investojnë në tokat e tyre.
“Paketa e Maleve” krahas zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë rurale, do të ketë ndikim në promovimin e produkteve “Made in Albania”, si dhe do të sjellë zgjerim të hartës turistike.
Zëvendësministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, në një intervistë për ATSH, bëri të ditur se përmes kësaj pakete synohet të inkurajohen nismat private, të nxitet zhvillimi i qëndrueshëm, duke integruar investimet në zona me potencial të lartë, duke frenuar kështu edhe braktisjen e fshatit.
Sipas tij, qëllimi është rimëkëmbja dhe zhvillimi ekonomik, nxitja e investimeve, punësimit dhe zhvillimi i ekonomive të vogla lokale për përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve në këto zona, shmangia e varësisë prej të ardhurave nga emigracioni, si dhe rikthimi i besimit të qytetarëve, se pasuritë natyrore e kulturore të këtyre zonave me përparësi zhvillimi, mund të kthehen në një bekim për kushtet sociale dhe ekonomike për komunitetet lokale që jetojnë atje.
Sipas zëvendësministrit, nga “Paketa e Maleve” mund të përfitojnë edhe fermat malore, që mbajnë dhi alpine duke aplikuar për të përfituar tokën për të bërë stallën, për të ndërtuar ferma për kultivimin e boronicave, apo kërpudhave, çdo lloj investimi në këtë drejtim.
“Ngritja e të paktën 500 agroturizmave në zonat malore, është një zhvillim i jashtëzakonshëm. Agroturizmat dhe fermat malore kanë potencialin e sjelljes së një zhvillimi shumë të madhe ekonomik në zonat rurale malore, të cilat vuajnë për një shkëndijë të kësaj natyre. Nëse ne incentivojmë 500 biznese zhvillimi që do të kemi bërë në këto zona malore, në terma të punësimit dhe të ardhurave të këtyre banorëve do të jetë i jashtëzakonshëm”, – thotë ai.
Kjo pasi, vijon Musabelliu, jo vetëm punëson njerëzit rreth e përqark, por ndan dhe dije, që edhe banorët e tjerë përreth të fillojnë të bëjnë të njëjtën gjë.
“Paketa e Maleve” parashikon lehtësi procedurash për pronësinë dhe ndërtimin, sikurse politika fiskale stimuluese.
“500 subjektet e para që do të investojnë në zonat malore do të përjashtohen nga katër taksa për një periudhë 10-vjeçare, të tilla si tatimfitimi, taksa e infrastrukturës, taksa e pasurive të paluajtshme dhe TVSH-ja”, – shprehet Musabelliu.
Zv/ministri theksoi se projektligji ka si synim të zgjidhë problemin e tokës në zona malore, që përgjithësisht janë tokë shteti dhe pavarësisht se dihet nga banorët e zonës, që është e një fisi apo familjeje të caktuar, nuk është se është regjistruar ndonjëherë dhe nuk zotërohet një certifikatë pronësie. “Ky ligj i jep mundësinë e njohjes dhe të dokumenteve pararendëse të shtetit shqiptar të kohës së Turqisë, të Zogut apo të Italisë”, – theksoi ai.
Me këtë dokument, shpjegoi ai, nuk mund të regjistrohet prona në Hipotekë, por shërben si dokument prove për të kërkuar zhvillimin e asaj pasurie.
“Këta edhe mund t’i përdorin këto pasuri, edhe pse nuk posedojnë dokumente dhe personi e përdor pasi banorët përreth e dinë që është pronë e tij. Por kur e përdor në këtë mënyrë nuk e zhvillon dot, pasi nuk e ke të hipotekuar, nuk merr dot leje, nuk kryen punime. Ky projektligj këtë synon, të bëjë këtë zgjidhje, pra këtyre personave që quhen ‘posedues jofaktikë’, t’u japë mundësinë të bëhen ‘posedues faktikë’, pra ta zotërojnë këtë pasuri”, – thotë më tej zv/ministri.
Musabelliu shpjegon edhe hapat se si bëhet regjistrimi i pronës dhe kalimi i pronësisë.
“Hapat procedurialë janë të thjeshtë. Në fillim bashkia mbi bazë të potencialit të zhvillimit, ekzistencës së këtyre poseduesve jofaktikë në zonë, i propozon pas një analize ministrit të Pushtetit Vendor shpalljen e një zone si zonë me prioritet zhvillimi. Ministri i Shtetit inicion VKM që e shpall zonë me prioritet zhvillimi.
Që në momentin e shpalljes një zonë me prioritet zhvillimi, Agjencia e Kadastrës nis menjëherë punën për regjistrimin e pasurive fillestare. Ndërkohë që një zonë shpallet si e tillë, individëve iu lind automatikisht e drejta që t’i kërkojnë bashkisë tokën, nëse plotëson kriteret e përcaktuara në këtë projektligj”, shpjegoi Musabelliu.
Ndërkohë, toka duhet të plotësojë disa kritere që të kërkohet.
Zëvendësministri shprehet se toka duhet të jetë pasuri shtetërore, të mos jetë pronë shtetërore publike e patjetërsueshme, të mos jetë pronë e Forcave të Armatosura, të mos ketë mbi të pretendime të të tretëve, të mos jetë objekt përfitimi i pronësisë sipas ligjeve të tjera dhe të mos ketë vendim nga Agjencia e Kthimit dhe Trajtimit të Pronave për kompensim ish-pronarëve.
Në momentin që shkon një kërkesë bashkia komunikon me institucionet e tjera, nëse ka apo nuk ka pretendime dhe nëse i plotëson apo jo kjo pasuri kushtet. Bashkia po ashtu ka edhe procedurat e veta për të kryer këto verifikime. Në frymë të këtij ligji, bashkitë mund të shkojnë dhe të orientojnë qytetarët për të plotësuar dokumentacionin.
Kur plotësohen hapat procedurialë, bashkia bën një listë të poseduesve faktikë dhe e afishon për të thënë që këta janë personat që kanë pretendime, duke iu dhënë po ashtu të tretëve mundësinë të ngrenë pretendimet e tyre. Në momentin që mbaron afati i afishimit bashkia miraton me vendim të këshillit bashkiak listën e këtyre personave dhe që në këtë moment këtyre personave pavarësisht që nuk e kanë marrë titullin e pronësisë, iu lind e drejta të aplikojnë për leje zhvillimi.
Me aprovimin e lejes së zhvillimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit këtyre personave iu lind e drejta të vijnë pranë Ministrinë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe të bëjnë një kërkesë për të lidhur kontratën dhe për të fituar këtë pasuri me qira 1 euro. Ministria bën lidhjen e kontratës, me kusht që personi që ka marrë këtë pasuri me kontratë 1 euro, brenda 3 viteve të marrë lejen e ndërtimit dhe të bëjë investimin.
Në momentin që i del akti i kolaudimit dhe akti i përdorimit, automatikisht kushti i kontratës është plotësuar dhe ai mund ta regjistrojë në Agjencinë Shqiptare të Kadastrës dhe kthehet në pronë të vetën. Nëse nuk plotëson kushtet, ministria ka të drejtë ta prishë në mënyrë të njëanshme kontratën, për mosrespektim të kushteve. Musabelliu shpjegoi se ky ligj nuk ka objektiv legalizimin e objekteve ekzistuese.