Një e moshuar në lagjen nr.18 të Durrësit po kalon mbase ditët më të vështira të jetës së saj.

E vetme, mes mjerimit, sëmundjeve dhe mungesës së higjenës, Dhurata Daullxhiu ndihmohet për vaktet ushqimore nga disa fqinjë.

Prej tre ditësh, shtëpia po pastrohet nga disa punonjës të Ndërmarrjes Komunale, pasi era e rëndë që vinte nga apartamenti në katin e parë ishte kthyer në shqetësimin kryesor për fqinjët, të cilët njoftuan njësinë administrative.

Çdo orendi shtëpiake po nxirret jashtë, ndërsa apartamenti ka nevojë për dezinfektim, ajrosje dhe pastrim rrënjësor.

Ajo që e vështirëson edhe më shumë situatën e të moshuarës janë këmbët, që i janë mbushur me plagë të infektuara, të cilat thotë se i mjekon vetë me jod! 

Dritaret e apartamentit dëshmojnë nga jashtë gjendjen mjerane të banesës. Por ajo që e bën më skandaloze situatën është mbyllja me kompensatë e njërës prej tyre, me qëllim murosjen e saj.

Fqinjët pohojnë se situata është mjaft e rënduar edhe për ta, ndërsa në apartament sipas tyre nuk ka as ujë, as energji elektrike. Sirnkon

“Është një situatë shumë e frikshme, sidomos me këto viruse që po qarkullojnë. E kam ndihmuar herë pas here me ndonjë pjatë ushqim, detergjentë, apo pak ujë të ngrohtë, sepse më ishte ankuar që nuk kishte ujë, drita”,– na tregon fqinja e saj, Paula Prezja

“Shqetësim më të madh nuk ka ku të shkojë. Do bëj denoncim, do e largoj. Ose do të mbyll portën e saj me tulla, se nuk jetohet më me këtë erë”,- thotë Muhamed Skuqi, një tjetër fqinjë i të moshuarës.

Kreu i njësisë administrative nr.4, Fredi Musaj bën të ditur se po vijohet me pastrimin dhe dezinfektimin e apartamentit, ndërkohë që drejtoresha e Shërbimit Social Diola Xhango bën të ditur për “DurrësLajm” se situata është përkeqësuar kohët e fundit për shkak të sëmundjes së kujdestares së Dhuratës.

Autoritetet lokale po e ndjekin nga afër situatën dhe po tentojnë të gjejnë një tjetër kujdestare për të moshuarën, që është e paaftë të kujdeset për veten e saj.

M.B.