1 tetor 2015 – Zana Kiptiu, e moshuara 85 vjeçe, është nxjerrë me forcë nga banesa e saj në lagjen nr.1 në Durrës, së bashku me katër anëtarët e familjes. Forcat e Rendit, përmbaruesit gjyqësorë dhe shumë priftërinj, të pranishëm, u kërkuan dje 8 familjeve të largohen sa më shpejt prej pallatit 4-katësh, i cili kaloi në pronësi të kishës ortodokse. 85-vjeçarja ka bërë gati plaçkat dhe nuk ka më zë as të qajë, sepse nuk ka një vend ku të fusë kokën.

Të vënë para presionit të familjarëve dhe të medias, kisha ortodokse ka premtuar të paguajë për 4 muaj qiranë e këtyre banorëve, por kjo është vetëm një zgjidhje provizore. Para se të largohet nga shtëpia, përshëndetet me portën ku jetoi ish-shoqja e fëmijërisë, Sofie Qëndro, e cila jetonte tre hapa larg prej derës së saj. E moshuara ka frikë se shumë shpejt mund të ketë fatin e keq të Sofies, e cila u përzu me dhunë nga shtëpia dhe vdiq në lulishten para bashkisë.

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, e moshuara deklaroi se do të vetëvritet, nëse do të përfundojë si mikja e saj. Ndërkaq, një prej priftërinjve, në një prononcim për gazetën tha se kisha do t’u paguajë qiranë për 4 muaj banorëve. Ai pohoi se kisha nuk mban përgjegjësi për këto familje, pasi pas 25 vitesh po merr pronat e saj.

Zonja Zana, kur jeni lajmëruar për të lënë shtëpinë?

Kishin dy vjet që na thoshin se ‘do t’ju nxjerrim nga shtëpia’ dhe se ‘duhet të ikni prej këtej’, po ku të shkonim?! Vinin priftërinjtë e kishës ortodokse, e na thoshin që është pronë e kishës dhe se duhej të largoheshim. Sot që në mëngjes (dje), siç e shikoni vetë, erdhën 10 priftërinj e 20 policë të na shpërngulin. Po bëj gati plaçkat e po ikim. Po ku të shkojmë?

Sa vite keni që jetoni në këtë banesë?

Kam më shumë se 50 vjet që jam strehuar në këtë banesë. Na strehoi ish-komiteti i asaj kohe këtu. Këto ishin magazina, por ne i rregulluam dhe i bëmë shtëpi për të jetuar. Këtu kam lindur e kam rritur fëmijët, e i martova. Tani duhet të ikim, pa ditur ku të shkojmë.

Ju jeni kryefamiljare?

Po, jam 85 vjeçe. Jetoj me djalin e vogël, i cili ka dy fëmijë të mitur. Nusja e djalit iku, as për fëmijët nuk u kujtua, dhe të katër frymët që jemi ushqehemi me pensionin tim prej 144 mijë lekësh të vjetër. As për bukë thatë nuk na del. Djali është pa punë. Ku nuk ka kërkuar e s’ka gjetur punë. Në hall të madh jemi. Fëmijët sa kanë vajtur në shkollë, janë të vegjël e s’kemi ku të shkojmë.

A ju ka dalë garant bashkia apo kisha për ndonjë zgjidhje të mundshme për strehim?

Është turp i madh, sepse kisha ortodokse, në vend që t’i ndihmojë njerëzit, po na nxjerr përjashta me polici e me shtetin mbrapa. Në bashki nuk na japin zgjidhje, sepse djali është pa punë. Nuk na jep shtëpi sociale të fusim kokën me fëmijët e vegjël. Na thanë këta të kishës që do na paguajnë qiranë për 4 ose për 5 muaj. Edhe kjo varet nëse duan ata, se në të kundërt ne do flemë e do gdhihemi në lulishte. Po unë jam plakë dhe në lulishte nuk fle. Ja vras veten, i vë flakën, ja u vë zjarrin kishës që më nxori nga shtëpia dhe bashkisë që më ka lënë në mes të katër rrugëve.

Pse jeni kaq e irrituar?

Sepse ne këtu në lagje e kemi pësuar të gjithë. Që nga Sofia me Llazin, që janë bërë të njohur në të gjithë vendin, për atë që u ngjau e vdiq në lulishte. Na kanë nxjerrë nga shtëpitë të gjithëve. Sofinë e nxorën me dhunë edhe pse aty kishte jetuar gjithë jetën e saj. Jemi njohur që të vogla e derisa e përzunë me dhunë. Tani shtëpia ku jetoi rri e kyçur. Tri hapa e ndajnë nga dera e shtëpisë sime. Ata i nxorën njerëzit, por ne po na nxjerr kisha!

Nga Klodiana Haxhiaj për "GSH"