Një zjarr i fuqishëm që shpërtheu pasditen e së mërkurës në zonën Achlia të Lasithit në Kretë, ka dalë plotësisht jashtë kontrollit, duke shkaktuar djegien e shtëpive, evakuimin e banorëve dhe shpëtimin e tyre nga plazhet me ndihmën e anijeve. Situata është përshkruar si dramatike nga autoritetet lokale.
Rreth orës 20:30, një mesazh emergjent nga shërbimi 112 u dërgua për banorët e zonave Agia Fotia, Achlia, Galini, Ferma dhe Koutsounari, duke u kërkuar të evakuohen menjëherë në drejtim të qytetit të Ierapetrës.
Guvernatori rajonal i Kretës, Stavros Arnaoutakis, deklaroi se “do të kemi një natë të vështirë”, duke theksuar se përparësia është mbrojtja e jetës njerëzore dhe e pronës. Ai konfirmoi se priten përforcime nga Athina, përfshirë forca zjarrfikëse dhe ekipe speciale, dhe se të gjitha strukturat shtetërore janë të angazhuara në terren.
Sipas Koordinatorit Rajonal të Mbrojtjes Civile, Manolis Paravolidakis, ka raportime për persona të shtruar në spital me probleme në frymëmarrje, ndërsa Shërbimi Kombëtar i Emergjencave (EKAB) është në gatishmëri të lartë me tetë autoambulanca. Deri më tani janë transportuar gjashtë persona, përfshirë tre me vështirësi në frymëmarrje, dy me lëndime të lehta dhe një qytetar me probleme lëvizshmërie.
Zëvendësdrejtori i mbrojtjes civile për Kretën, Giorgos Tsapakos, tha se “beteja me flakët do të vazhdojë gjatë gjithë natës”, ndërsa përmendi vështirësitë e shumta për shkak të erërave të forta dhe ndryshimit të vazhdueshëm të drejtimit të tyre.
Në operacion janë angazhuar 145 zjarrfikës, 8 ekipe alpinistësh dhe 25 automjete zjarrfikëse, të cilët po përballen me kushte jashtëzakonisht të vështira për shkak të terrenit dhe motit.
Autoritetet janë në bashkëpunim të ngushtë me hotelet dhe strukturat turistike për të menaxhuar evakuimin dhe strehimin e vizitorëve të prekur nga zjarri, ndërsa situata mbetet kritike.