Zyra e shtypit e Vatikanit ka njoftuar se Papa Françesku ka pësuar disa fraktura dhe mavijosje, pasi është rrëzuar mëngjesin e sotëm teksa ndodhej në rezidencën e Santa Martës. Papa raportohet se ka dëmtuar parakrahun e djathtë, që mjekët ia kanë vendosur në allçi si masë paraprake.

Ky është incidenti i dytë në vetëm një muaj, pasi më 7 dhjetor 2024, Papa Françesku goditi mjekrën në komodinën e tij, që i shkaktoi një hematomë të madhe në fytyrë. Pavarësisht dëmtimit, Papa Françesku mbajti seancat e ndryshme të planifikuara. Që nga viti 2022, Papa ka përdorur një karrige me rrota për shkak të problemeve të lëvizjes të shkaktuara nga dhimbjet në gju.