Kur Kaç Islami erdhi të fshihej me pardesy grash në studion time

Nga Pajtim Lutaj*

Pranvera e këtij viti, 2013, i gjen shqiptarët anembanë globit më të bashkuar se kurrë por edhe më të motivuar për t’ju bashkangjitur familjes Evropiane. 100 vjet më parë, në maj 1913,  konferenca e Londrës e ndau kombin tonë në disa pjesë. Në këtë jubile shqiptarët ndihen krenarë se politikanët e botës e “korrigjuan” gabimin e 100 viteve më parë, i mundësuan Kosovës mëvetësinë. Rreth 90 vjet kombi shqiptar e ka kujtuar me dhimbje këtë konference por shekulli i porsa-nisur duket i mbare, do t’u prijë shqiptarëve.

Por, sa po e justifikojnë politikanët tanë këtë trend? Pak, ndoshta aspak për mendimin tim. Konformizmi ka gllabëruar sistemin dhe pushtetet e të gjitha niveleve, individët po mohojnë vetveten por edhe besimin që u dhanë votuesit. Shembulli me tipik është atentati kriminal që iu bë javët e fundit demokracisë së vendit dhe kryesisht garantuesit të votës së lirë, Komisionit Qendror Zgjedhor nga një pseudomazhorancë lilipute dhe e cunguar.

Nuk kam pasur asnjëherë iluzionin se pushteti i Sali Berishës, i provuar dhe i sprovuar për keq-qeverisje, fakt ky tashmë i kuptuar dhe i pranuar edhe nga faktori ndërkombëtar, do t’i bënte ndonjë të mirë demokracisë së këtij vendi. Koha e provoi se pushteti aktual ka transformuar sloganin mitik “Liberté-Egalité-Fraternité” në “Padrejtësi-Pabesi-Paaftësi”. 

Por kurrë nuk e kam menduar dhe as shkuar nëpër mend se kjo “mazhorancë” e ardhur në pushtet me vota të vjedhura dhe pasi u mbajt në pushtet me paterica për më shumë se tre vjet, do të mundte të qëndronte akoma në zyrat e pushtetit të pamerituar duke përdorur mercenarët, të cilët, me votat e trafikuara në parlament, penguan rrëzimin e qeverisë Berisha; më keq akoma,votuan amendamente të sajuara për shkarkimin e njërit prej përfaqësuesve të KQZ-së; futën në krizë institucionale dhe konstitucionale vendin.

E pranoj diversitetin e mendimit dhe lirinë e votës së tyre por nuk mund të pranoj përdorimin e tyre deri në ekstrem për të justifikuar votën.

Unë nuk gjej asnjë argument për të justifikuar atë veprim, por dua t’ju them se justifikimi “për inat të Edi Ramës”, nuk i shfajëson, Edi Rama është kryetari i PSSH, por jo e majta shqiptare, kauzën e së cilës e kemi mbrojtur me aq mund përball verbërisë së pozitës. Nuk ka logjikë që mund të pranojë që gjatë një legjislacioni ,7 deputet të transformojnë votat e zgjedhësve në anë të kundërt të vullnetit te tyre për të ndërtuar një pushtet antidemokratik.

Nëpërmjet këtij shkrimi do të doja t’u kërkoj falje mallakastriotëve ,por edhe gjithë votuesve të së majtës shqiptare që kam përkrahur, promovuar, por edhe mbrojtur fizikisht Kastriot Islamin; njërin prej ish-drejtueseve më të lartë të shtetit, tashmë i përdoruri më i lartë i pushtetit antidemokratik të Sali Berishës.

Nuk e bëj këtë për të përcaktuar nëse është Kaçi i Zi (sipas Berishës dhe popullit) apo Kaçi i Bardhë (sipas Berishës kur i duhen kokrrat), se këtë e keni parë e lexuar gjatë gjithë javës së kaluar nëpër ekrane dhe blogje, ku Kaçi mundohej të mbronte nderin duke justifikuar “virgjërinë” që ia prishen “jakobinët”. Çiçolina do ta kishte zili!

Me qëllimin që lexuesi të kuptojë këtë ndjesë publike, jam i detyruar t’i ekspozoj një fragment nga ditari im i periudhës shkurt-mars e vitit të mbrapsht 1997.

Një pasdite të kthjelltë fillim-marsi, pa rënë akoma muzgu bie zilja e derës së vilës. Zakonisht nga kjo hyrje vinin pacientet, por meqenëse koha ishte e papërshtatshme dhe situata e rendit e trazuar, shkova vet të shihja kush ishte.

Pasi hapa derën, paraqiten dy persona, i pari më prezantohet si shoqëruesi i Kastriot Islamit, Qakua. Pas Qakos vërejta një person të shkurtër, të ngjeshur, i veshur me një pardesy grash bojë qielli që e mbulonte deri edhe këpucët dhe me kapuç, që i kishte mbuluar pothuajse gjithë fytyrën.

Për një moment mendova se mos kishte sjellë gruan për vizitë, por në çast Qakua m’u afrua dhe me zë të ultë me thotë:

 “Kam sjell Kaçin”.

I futa brenda dhe i ula në sallën e pritjes së pacientëve. Kastrioti, me zë të dridhur që me të vërtete tregonte një frikë të brendshme, tha:

“Do të doja të strehohesha disa ditë këtu se ndihem i rrezikuar në shtëpinë time ku shihen kapuçzinj të dyshimtë dhe forca të shumta të SHIK-ut që më kërkojnë”.

U befasova nga kjo kërkesë, aq më tepër që unë në punën time nuk e perceptoja situatën kaq të rënduar dhe të rrezikshme. Në vilën time nuk kisha as roje as armë.

Kastriotin e njihja shumë pak, e kisha takuar vetëm dy herë, herën e parë  në një pritje dhe të dytën në klinikë, kur ma sollën për t’i mjekuar një plagë në kokë që ia kishin shkaktuar forcat e rendit gjatë një manifestimi te rruga e Kavajës.

Duhet të merrja një vendim të menjëhershëm. Hyra në sallonin e shtëpisë për ta diskutuar me gruan. Pasi ia thashë problemin, ajo me foli prerë:

“Nuk di çfarë të them, ti e di vetë, bëjë çfarë të duash por mendo më shumë për vajzat se janë të vogla”.

Kjo përgjigje ma vështirësoi edhe më shumë marrjen e vendimit.

U ktheva në sallën, ku prisnin Kastrioti dhe Qakua. Pothuajse instinktivisht, i thashë:

 “Dëgjoni, në qoftë se juve nuk ju ka ndjekur njeri deri sa hytë në shtëpinë time, këtu do të jeni i sigurt”.

E akomodova Kastriotin në një nga dhomat e klinikës ku ai kaloi 12 ditët më të trazuara të katrahurës së marsit ’97, periudhë që i ka lënë vendit një njollë të zezë të pashlyeshme, i rrënoi ekonominë dhe i vrau shpresën për zhvillim demokratik.

Dy momente për t’u veçuar:

1. Në kulmin e pasigurisë kur në media sajohej S. Brokaj me kallashnikov në krah-qafë, Kastrioti u frikësua shumë.

Për ta qetësuar i them: “Mos ki frikë se unë të kam hapur një kartelë dhe në qoftë se vjen njeri do t’i them se është një pacient që kam operuar… dhe i përgatita një fashë duke e porositur ta vinte në sy në momentin e duhur”.

Për fat, nuk patëm as një shqetësim gjatë gjithë ditëve që ish-kryetari i parlamentit dhe deputeti i kuvendit të vendit tim u strehua në shtëpinë time si “pacient” ilegal.

2. Një ditë para se të linte “vendstrehimin”, diskutuam për të ardhmen politike të vendit. Unë mbroja idenë e pajtimit kombëtar duke izoluar totalisht Berishën (këtë ide e kisha krijuar më shumë nga të thënat e miqve dhe kolegëve të mi që rrinin shumë afër Berishës sepse vetë nuk e njihja nga afër, e kisha takuar vetëm një herë në 1992 kur një kolegu im ma solli për darkë në shtëpinë time në Paris. Të gjithë e përshkruanin të paparashikueshëm, të rrezikshëm dhe destruktiv. Ndërsa një kolegu i afërt i tij e cilësonte të djallëzuar, intrigant dhe të dhunshëm).

Ndërsa Kastrioti me një siguri në vetvete dhe i ngrefosur më thotë: “Dëgjo mik; mos e llogarit më Saliun, ai nuk do të ekzistojë më në politikë, do të merrem vetë personalisht me atë , dhe të jap fjalën se për tre muaj do ta nxjerr të çmendur… e kupton apo jo”?!. Kuptova se siguria e ardhjes në pushtet e kishte bërë euforik.

“Po”, – i thashë e kuptova dhe brendapërbrenda meje imagjinova një të ardhme të pasigurt, ndjeva parafabrikimin e demokracisë (para-demokracinë) e këtij vendi, pra ky vend do t’i vijë rrotull demokracisë, se nuk ka kapacitete për një demokraci të vërtetë. Evropa m’u duk shumë larg, edhe pse atje kisha jetuar gati 8 vite.

Kjo lloj përgjigjeje, ironia dhe vetësiguria e pavend që shfaqi Kaçi e kanë zvogëluar shumë figurën e këtij njeriu në sytë e mi, se e konsideroja të shkolluar në perëndim por edhe me eksperiencë politike, ministër, deputet, kryetar parlamenti… kjo ka qenë arsyeja që unë më vonë i kam refuzuar Kastriotit të gjitha postet që më ka ofruar nga  maja e “Olimpit”, ku hipi pas zgjedhjeve.

Këto ishin pasazhet që vendosa të bëj publike pas 16 vjetësh, pra shumë më përpara kohës së kujtimeve, i detyruar nga klima e rëndë që krijoji media vizive dhe ajo e shkruar javët e fundit, pas aktit antikombëtar që bënë në parlament tre deputetë të opozitës, të cilat harruan problemet aktuale, të vërteta dhe të mprehta të demokracisë shqiptare dhe u morën me Kaçin. Tentativa për ta viktimizuar apo heroizuar deri në atë pikë sa të tymosin  se i dërguari i Departamentit të Shtetit erdhi në Shqipëri me urgjencë për manifestimin e paligjshëm para shtëpisë së një deputeti se sa për katastrofën që krijoi shkarkimi i një anëtari të KQZ, tregojnë konformimin e tejskajshëm, (që tashmë është bërë modë) dhe papjekurinë e shoqërisë sonë për të kontribuar sadopak në përmirësimin e procesit demokratik dhe integrimit të vendit në familjen evropiane.

Koha nuk vërtetoi asnjë nga “profecitë” e pacientit tim ilegal, përkundrazi duke ndjekur fjalën justifikuese të votës së tij “pro” shkarkimit të anëtarit të KQZ, dridhja e zërit, sytë e përlotur më sollën në kujtesë burrin me pardesy bojë qielli dhe në çast mendova se paska ndodhur krejt e kundërta e premtimit të tij solemn në atë ditë marsi ’97 para se të dilte nga ilegaliteti dhe të fitonte lirinë… të cilën s’e paska njohur kurrë.

Prandaj jam kurioz të pyes Kastriotin, madje mendoj se gjithë shqiptarët janë kuriozë të dinë:

Si u thua, ti Kastriot, sot këtyre njerëzve që për shkakun tënd vunë në rrezik jetën e tyre dhe të familjes pa pasur asnjë interes? Si u thua ti prindërve të tu, të cilët me lot në sy na falënderonin sa herë na takonin për “shpëtimin” e djalit të vetëm? Si justifikohesh ti,  para fëmijëve, bashkëshortes tënde, militante e rreshtave të para të protestave të asaj kohe? A e sheh dot sot në sy Arben Malajn, i cili vinte natën në errësire ju sillte ndërresat? Perse nuk e ke kurajën të shkosh të takosh zgjedhësit e tu? Për të gjitha këto, unë, nuk di ç’të them veçse… udhë të mbarë!

Udhë të mbarë në bashkëpunimin afatgjatë me forcën politike që shkatërroi vendin; udhë të mbarë me personin që u betove që do ta përdorje por të përdori sa deshi dhe si deshi, me personin që si objektiv nuk ka zhvillimin demokratik por “ngrirjen e buzëqeshjes” apo “ngecjen në fyt të ngjalave” kundërshtarëve të tij politikë dhe që nuk arrin dot të kuptojë se ka vite që ka asfiksuar demokracinë dhe ka ndotur ambientin politik të vendit. Udhë të mbarë Kastriot se pretorianët po të presin; madje krah hapur për të përdorur si të duan dhe kur t’ua lypë nevoja; por edhe për të mbrojtur nga Luther King-ët që manifestojnë, me kokën lart, 60 m poshtë apartamentit tuaj, vetëm e vetëm se kanë një ëndërr, atë të mos-shpërdorimit dhe mos-trafikimit të votës që të kanë dhënë , të cilëve Ju arrini t’ju lexonit markën e rrobave të veshura por jo ëndrrën. Udhë të mbarë Kastriot në fatkeqësinë tënde, se ne ish-miqtë e tu, mallakastriotët, progresistët, gjithë shqiptarët, kemi zgjedhur rrugën e kundërt me Ju, atë të Rilindjes. Rilindja që do t’i japë pranverës 2013 rëndësinë e vjeshtës 1912, kur Shqipëria u shkëput nga otomanizmi; do t’i japë rëndësinë e marsit 1992 që rrëzoi sistemin komunist por nuk arriti të mënjanojë neodiktaturën; sepse sot ne jemi bërë bashkë, me Kosovën, me Evropën, me Amerikën.

*Oftalmolog / Profesor i Universitetit të Tiranës

http://gazetadita.al/para-demokracia-kur-kac-islami-erdhi-te-fshihej-me-pardesy-grash-ne-studion-time/