Juventusi mund t’i thotë lamtumirë Champions-it të vitit të ardhshëm duke anashkaluar mundësinë se ndoshta ndodh historia dhe kualifikohet si fituese e këtij kompeticioni.Të paktën ky është verdikti që ka dhënë një studim i bërë nga observatori i statistikave të futbollit, “CIES”, i cili ka bërë një përllogaritje se si mund të përfundojnë të pesë ligat më të mëdha të kontinentit të vjetër.

SERIA A – Duke e nisur nga elita e futbollit italian, nga vlerësimi i të dhënave pas katër javëve të para, “CIES” është e bindur se titullin do ta fitojë sërish Interi, i cili do të lërë pas Napolin, Milanin dhe Romën në renditjen finale. Ndërkohë, Juventusi do ta mbyllë në vendin e gjashtë sezonin në Serinë A, pas Atalantës. Në këtë renditje janë llogaritur rezultatet e sezonit të kaluar, plus shifrat e këtyre katër javëve të para, eksperienca e lojtarëve të secilës skuadër dhe investimet e bëra në këtë merkato. Dhe nëse futbolli do të ishte matematikë brenda parametrave të mësipërme, në Torino duhet të shqetësohen vërtet shumë.

LIGAT E TJERA – Për sa i përket kampionateve të tjera në Europë, në Premier Ligë Kristiano Ronaldo mund ta harrojë gjithashtu titullin kampion. Mançester Junajtidi pritet që ta mbyllë sezonin aktual vetëm në vendin e dytë, ndërsa festë do të bëjnë kushërinjtë e Mançester Sitit. Për sa i përket zonës Champions, ajo do të plotësohet nga Liverpuli dhe Çelsi.

Në Bundesligë për Bajernin do të jetë një lojë fëmijësh që të triumfojë, përpara Volfsburgut, Dortmundit e Leverkusenit. Në Francë titulli do të jetë i Mesit me shokë, ndërsa në Spanjë kampion do të jetë Reali i Madridit, ndërkohë që zona Champions do të kompletohet nga Atletiko, Barcelona dhe Sevija.