Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për papërgjegjshmëri ndaj pagave të ulëta të shqiptarëve.

Në një postim në Facebook, Meta u shpreh se paratë që duhet të shkonin për qytetarët, shkojnë te incenaratorët, nga ku vidhen më pas me anë të kompanive off-shore.

Më tej, kreu i PL ka deklaruar se shkaktar për rrogat e ulëta të shqiptarëve është shpërdorimi i parave nga qeveria, që ai e quajti më të korruptuarën në rajon.

“Në Shqipëri paga mesatare bruto është 520 euro, në vendet e rajonit është 800-900 euro.

84 euro ka qenë rritja e pagës mesatare në tre vitet e fundi, në vendet e rajonit kjo rritje ka qenë trefish më shumë.

Shqiptarët kanë rrogat më të ulëta dhe kjo ndodh për një arsye të vetme: paratë e tyre shpërdorohen nga qeverisja më e korruptuar në rajon”, ka shkruar Meta.