Një park fotovoltaik me kapacitet të instaluar 102 MW do të vendoset në afërsi të fshatrave Mbreshtan dhe Banjëz duke u shtrirë kështu në dy bashki, konkretisht Përmeti dhe Kolonja.
Bëhet fjalë për projektin që do të zbatohet nga kompania Tekno Fire e cila së fundmi ka paraqitur pranë autoriteteve vlerësimin e ndikimit në mjedis duke përcaktuar saktësisht edhe koordinatat ku do të vendoset parku dhe sipërfaqja totale përllogaritur në funksion të tij.
Kompania ka nënvizuar se për zhvillimin e projektit “Për ndërtimin e impiantit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike me kapacitet të instaluar 102 MW, dhe veprave ndihmëse (linje elektrike 110 kV, dhe nënstacion 110 kV), është marrë tashmë miratimi paraprak pranë Ministrisë se Infrastrukturës dhe Energjisë.
“Ky central FV është planifikuar të instalohet në një zonë kodrinore-malore, në afërsi të fshatrave Mbreshtan dhe Banjëz. Sipërfaqja e përgjithshme e parcelave në dispozicion është rreth 147.8 ha. Aksesi në terren është i mundur nga rrugët e zonës, rruga duhet të hapet në një pjesë të trasesë së saj dhe pjesa tjetër është e aksesueshme për mjetet e rënda. Impianti fotovoltaik se bashku me nënstacionin është i pozicionuar ne Bashkinë Kolonje ndërsa linja elektrike do te shtrihet përgjatë Bashkisë Përmet dhe Kolonje. Centrali FV diellor përbëhet 157231 module FV, me një sipërfaqe modulesh qe arrin ne 488 414 m” thuhet në raport.
Kompania ka nënvizuar gjithashtu se impiantit nuk ndodhet në zonën e mbrojtur “Piskal-Shqeri”. Sipas dokumentit një pjesë e sipërfaqes e cila ndodhet në Zonën e Mbrojtur Piskal-Shqeri është pjesë e pronës por nuk do te preket, pra në këtë pjesë nuk do të ndërtohet impiant (do të mbetet e paprekshme).
“Në afërsi të kufirit të impiantit ndodhet monumenti i natyrës “Meçka e Bënjëzit” në një distance prej 35 m nga zona ku do të ndërtohet impianti. Pra ky monument nuk është brenda zonës së impiantit” thuhet në raport.
Ky Projekt është një ndër disa dhjetëra të cilët po zbatohen në vend apo që kanë marrë miratime në hallka të ndryshme institucionale dhe që ka një kapacitet të instaluar relativisht të madh./ Monitor