Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të ruajnë paqen. Reagimi i Vuçiç vjen pas dështimit të bisedimeve në Bruksel me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në lidhje me çështjen e targave të makinave.

Në përfundim të takimit Vuçiç deklaroi përpara gazetarëve se pala kosovare gjatë takimit të sotëm nuk ka dashur të dëgjojë asnjë zgjedhje kompromisi sa i përket çështjes së targave.

“Kemi dhënë gjithçka nga vetja, e në disa raste kemi pranuar kërkesa të reja dhe sërish tjera, e në një moment pas një orë e gjysmë i thash përfaqësuesit të lartë Josep Borrell dhe Miroslav Lajçakut dhe nuk ka asgjë nga kjo, e kuptova se koha do të kalojë dhe do të shfaqen vazhdimisht kërkesa të reja dhe pala kosovare nuk dëshironte kurrfarë zgjidhje kompromisi”, tha Vuçiç, i cili njihet për fjalimet e tij plot dramë.

“Sot e kam bërë të qartë se Serbia nuk ka probleme me targat KS dhe e kam përsëritur disa herë, mjafton që të kemi targat neutrale ndaj statusit. Por, pala tjetër reagoi shumë negativisht për këtë dhe tha se koha e UNIMIK-ut ka kaluar shumë kohë më parë”, shtoi ai.

Presidenti serb pranoi se nuk mund të flasin për çdo gjë dhe të hapin çdo temë, por ajo që sipas tij duhet bërë është zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara dhe që janë në fuqi.

Ai këmbënguli në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke ritheksuar se është produkt i marrëveshjes së Brukselit.