Ish-ministrja Elisa Spiropali, pas përplasjeve me kryeministrin Edi Rama është fotografuar në një takim me Damian Gjiknurin. Ky i fundit një tjetër figurë e lënë mënjanë nga udhëheqja socialiste. Në foton e publikuar nga Publik.al, Spiropali dhe Gjiknuri shihen duke biseduar në një lokal.
Pas këtij takimi, mbetet për tu parë, nëse Rama do të reagojë, duke marrë parasysh edhe përplasjet e fundit me Spiropalin në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Gjatë mbledhjes Rama i vendosi ultimatum Spiropalit, duke e paralajmëruar me përjashtim nga grupi, nëse kjo do vijonte me kritikat.
Një ditë më pas Spiropali reagoi, duke sfiduar hapur Ramën. Ish-ministrja theksoi në reagimin e saj, se debatet e brendshme sado të forta, nuk duhet të shndrrohen në spektakël ndëshkimor publik. Spiropali sqaroi se nuk ka sulmuar Partinë Socialiste, por ka kritikuar modele të caktuara që, sipas saj, po dëmtojnë vetë partinë.
Në reagimin e saj, ajo tha se kritika nuk dobëson pushtetin, por përkundrazi, mungesa e vetëkorrigjimit e dobëson atë. Spiropali u shkarkua nga posti i Ministres së Jashtme, ndërsa Damian Gjiknuri nga posti i Ministrit të Energjisë dhe Infrastrukturës.





