Një parakalim i gabuar ka shkaktuar konflikt mes dy shoferëve të rinj në Vaun e Dejës, ndërsa njëri prej tyre ka nxjerrë automatikun që mbante me vete.
Pas një konflikti të çastit për parakalim të gabuar me automjet, midis shtetasve M. P., 28 vjeç dhe A. Gj., 23 vjeç, shtetasi M. P. është larguar dhe ka marrë armën e zjarrit tip automatik që mbante me vete.
Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës ka parandaluar përshkallëzimin e konfliktit midis këtyre dy shtetasve. Gjatë ndjekjes nga Policia, shtetasi M. P. ka hedhur armën e zjarrit dhe është larguar.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, ka nisur procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, për shtetasit A. H., 21 vjeç, K. Sh., 19 vjeç, R. H., 30 vjeç dhe Xh. H., 25 vjeç, të gjithë banues në fshatin Barbullush, Vau i Dejës, pasi kanë tentuar të fshehin armën e zjarrit që mbante shtetasi M. P.
Vijon puna për kapjen e shtetasit M. P.