Mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë në Greqi u rrëzua me 156 vota kundër dhe 143 pro. Në total votuan 299 deputetë, ndërsa mungonte deputeti i pavarur Christos Patsis. 

Diskutimi maratonë zgjati 34 orë, më i gjati në historinë e parlamentit grek. Gjatë seancave që përfundonin orët e para të mëngjesit u dëgjuan 164 fjalime, nga deputetë, përfaqësues të grupeve parlamentare, 22 ministra, ish-ministra dhe ish-kryeministri Jorgos Papandreu.

Pavarësisht se rezultati ishte i pritshëm, opozita shkaktoi një krisje të besimit ndaj qeverisë Mitsotakis, ndërsa nga ana e tij kryeministri grek e konsideroi si prolog të humbjes së Syriza në zgjedhjet parlamentare, që do të zhvillohen këtë pranverë.