Leja e drejtimit, masa të forta kundër drejtuesve të mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit   

Aplikimi për lejet e reja të drejtimit të mjeteve, ku vlerësimi do të bëhet me pikë, do të hyjë në fuqi prej korrikut. Me ndryshimet në Kodin Rrugor, çdo drejtues mjeti do të ketë 20 pikë në patentën e tij, të cilat do t’i zbriten për çdo shkelje.

Parakalimi i gabuar, lëvizja në korsinë e emergjencës, drejtimi i mjetit në gjendje të dehur ose nën efektin e drogës, largimi nga vendi i aksidentit dhe mos bindja ndaj punonjësit të policisë, të kushton 10 pikë në patentë. Mosvendosja e rripit të sigurisë me 5 pikë.

Kodi parashikon që krahas masave administrative me gjobë humbja e pikëve në patentë ta detyrojë drejtuesin e mjetit që të hyjë në provim, për të rifituar pikët. “Në përfundim të plotësimit të 20 pikëve, drejtuesi i mjetit do t’i drejtohet një provimi teknik për rikualifikim, për rimarrjen e lejes së drejtimit.

Për drejtuesit e mjeteve brenda periudhës prej një viti nuk kryejnë shkelje, ata kreditohen, u jepen 10 pikë. Ka një sistem stimulimi pozitiv për drejtuesit që nuk kryejnë shkelje”,- u shpreh eksperti rrugor Mitat Tola.

Sistemi i patentës me pikë aplikohet në të gjitha vendet e BE-së. Kjo synon forcimin e penaliteteve për shkelësit e Kodit Rrugor, disiplinimin e trafikut dhe reduktimin e aksidenteve rrugore.