Tiranë, 22 korrik 2014 – Shëndetësi kaotike të sponsorizuara nga mendjet e mbrapshta dhe klienteliste i ka cilësuar Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Albana Vokshi 300 ditët e punës së Ministrisë së Shëndetësisë. 

Në një deklaratë për mediat Vokshi theksoi se nuk ka shëndetësi falas por vetëm propagandë. “Shqiptarët përjetuan 300 ditë shëndetësi kaotike, të sponsorizuar nga mendjet e mbrapshta dhe interesat klienteliste rilindase. Sot nuk kemi ende shëndetësi falas, por kemi vetëm propagandë falas. Sot kemi shëndetësi të përkeqësuar në çdo drejtim, kemi shëndetësi të përkeqësuar në çdo shërbim. Biografia e ilaçeve caktohet nga ministri mbi bazë tarafesh dhe interesash. Emërimet në mjekësi kalojnë në zarfe”– u shpreh Vokshi. 

Më tej ajo akuzoi se sot drejtorë spitalesh janë bërë mjekë të dënuar më parë për krime dhe për shpërdorim detyre, ndërkohë që kostoja e shërbimit mjekësor për qytetarët është mjaft e lartë.

“Farmacitë e kushërinjve kanë mbirë kudo në dyert e spitaleve. Sot qytetarët e vendit paguajnë shumë më shumë dhe vuajnë akoma më shumë në dyert e spitaleve. Kjo pra është e vërteta e shëndetësisë së rilindur të Edi Ramës”-përfundoi Vokshi.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/