Qeveria vijon turin informues të takimeve me pensionistët për të diskutuar për reformën në skemën e pensioneve.

Kryeministri Edi Rama ka thënë se problemet në skemën e pensioneve janë të trashëguara ndër vite.

“Pensionet janë pjesa më e vështirë e të gjithë mozaikut të zhvilimit dhe sot tema e pensioneve nuk është temë thjesht për vendet si ne, por për të gjitha vendet duke filluar nga vendet më të pasura ku ngrihet problemi i vështirësisë për të rritur pensione dhe për t’ju përgjigjur financiarisht rritjes së pensioneve në kohë. Çdo pension që rritet, rritet për të qëndruar aty në kohë.

Ndryshe nga pagat, pensioni bazohet te sigurimet shoqërore dhe ndryshe nga pagat pensioni financohet nga sigurimet shoqërore. Fondi i pensioneve është një fond i bazuar tek kapaciteti i sigurimeve shoqërore për t’ju përgjigjur nevojë për të paguar pensione. Ne kemi trashëguar një situatë jashtëzakonisht të vështirë kur vjen puna te pensionet, sepse ka pasur shumë më tepër shmangie nga sigurimet shoqërore. E dyta, në fillim të viteve ’90 kur u shkatërrua çdo gjë, u bë dhe nxjerrja në pension shumë të parakoshme të shumë njerëzve që ishin punëtorë nëpër fabrika dhe u rrit në mënyrë artificiale numri i pensionistëve”.

Një problematikë që vazhdon ende, pavarësisht disa formalizimeve gjatë viteve të fundit, Rama theksoi se është shmangia e sigurimeve shoqërore nga punëdhënësi dhe punëmarrësi.

“Arsye tjetër që është e rëndësishme, është sepse ne vazhdojmë te kemi problem serioz me shmangien e sigurimeve shoqërore nga punëmarrësit dhe punëdhënësit. Këtu është koha për të bërë një tjetër përpjekje të fortë nga ana jonë pasi tani jemi në kushtet kur rritja ekonomike na e ka krijuar këtë mundësi që të vijmë tek ju dhe të diskutojmë se çfarë do bëjmë konkretisht.

Përpara nuk e kemi pasur këtë mundësi. Sot që flasim, ne qeveria mbulojmë me afro 500 milionë Euro diferencën midis sigurimeve shoqërore dhe pensioneve. Pensionet që jepen sot një pjesë e paguan drejtpërdrejt qeveria. Problemi është tek mbajtja e një balance të shëndetshme që të mos pengojë shtetin që të funksionojë siç duhet dhe të mos pengojë zhvillimin prej të cilit vijnë të ardhurat. Taksat nuk janë për të paguar pensione, janë për të paguar të gjitha ato që i duhen shtetit që të funsionojë dhe për të financuar zhvillimin. Taksat janë për fëmijët. Sigurimet shoqërore janë për pensionistët. Kush u shmanget, praktikisht i heq pensionistëve të drejtën që të marrin një pension më të mirë”.

Kryeministri theksoi gjithashtu se Shqipëria ka lidhur marrëveshje me shumë shtete për pensionet e emigrantëve shqiptarë. E në këtë pikë, Rama bëri të ditur se një negociatë për marrëveshjet po bëhet aktualisht me Greqinë.

“Lidhja e marrëveshjes me Greqinë jemi në diskutime me palën greke, por do kërkojë kohën e vetë sepse është një vendimmarrje shumë e rëndësishme dhe ka një peshë të caktuar financiare. Me Italinë kjo më në fund u realizua”, theksoi Kryeministri Edi Rama.

Të pranishëm në këtë takim me pensionistët e Fierit ishin edhe zv/Kryeministrja Belinda Balluku, ministri i Ekonomisë Blendi Gonxhja dhe zëvëndësja e tij Olta Manjani.