Tragetet e linjës Durrës – Ankona e kthim, gjatë dy muajve të verës do të 3-fishojnë lundrimet, për të lehtësuar udhëtimet e bashkatdhetarëve me punë dhe banim jashtë vendit, të cilët vijnë me pushime pranë familjeve të tyre në vendin tonë, Kosovë dhe Maqedoni.
Nga Qendra e Informacionit në APD, mësohet se në grafikët e kompanive lundruese është parashikuar një ritëm thuajse i përditshëm i lundrimeve të trageteve drejt Ankonës. Sipas grafikut të ri, që nga data 5 korrik deri në fund të muajit gusht, tragetet e kësaj linje do të mungojnë vetëm në pesë ditë, duke qenë të pranishme në 52 ditë të tjera.
Gjatë vitit tragetet e linjës Durrës – Ankona e kthim lundrojnë dy herë në javë, ndërsa njëri nga udhëtimet vijon edhe drejt portit të Triestes.
Në stinën e verës, dhjetëra mijë pushues vendas dhe të huaj shfrytëzojnë tragetet e linjave Durrës – Bari dhe Durrës – Ankona – Trieste për udhëtimet individuale dhe me automjete nga vendet e Evropës Perëndimore ku jetojnë dhe punojnë drejt vendit tonë dhe anasjellas.