Nga Myzejen Konduri

Kemi 2 ditë që na u rrënqeth trupi, na u shkul shpirti nga skenat që na shtangën në videon që u shpërnda me këlthitjen e një NËNE, që s’gjej fjalë ta ngushëlloj… Mes mjegullës së lotëve, nuk do të ngre trokun e ndjenjave në Revoltën që kam me flakërimë sharjesh për ATO, kur bryma e pendesës do t’i mbysë me përçmim…Po kjo ngjarje, duhet të na vërë përballë vetes.

Kam vite që punoj me komunitetin e Grave & të Rinisë dhe jam dëshmitare e dukurive që po hasim në këto kohë, ku trazicioni i stërgjatur ka krijuar dhe problematika të shumta. Mendoj që këto pasoja vijnë në dy kahje, Familja & Shkolla. Pse e them e dua të ngulmoj për të evidentuar sfidat që na duhet për të arritur më të mirën për Familje e per Ardhmërinë. Po i sjell disa mendime e gjykime të mia, pas ngjarjes së ndodhur në Azilin e të Moshuarve, në Pejë të Kosovës, që pati një rezonancë tmerrsisht tronditëse tek të gjithë, pa përjashtim.

Në realitetin ku jetojmë, vërejmë se në emër të Demokracisë e të Modernizmit, po shpërfillim e po zbehim atë trashëgimi që e ka mbajtur të fortë e të qëndrueshme Familjen dhe Rolin Formues dhe Edukues të shkollës. Kështu në  Familjet e mëdha , me shumë antarë e familjet e vogla që jo rrallë po abandonojnë në mënyrë të pafalshme dhe Prindërit, bërthama e Jetës në vazhdimësi, të dhënë pas punës për tu pasuruar sa më shpejt e sa më shumë , Harrojnë Përgjegjësitë ndaj familjes. Kështu, mungesa e vëmëndjes ndaj të moshuarve & fëmijve, pasiguria e tyre ne ritmet e jetës, sjell të carat në rregullsitë që duhen të mos anashkalohen . Edukata, prindër – fëmijë, mbështetja e tyre në parimet e këtij edukimi do i përcjell dritën, ku ata duhet të mbështeten për t’u bërë të respektueshëm prindërit në moshën e tyre të tretë e për fëmijë të mbarë e të përgjegjshëm, në detyrat që ata kanë për prindërit, qëllimet e ëndërrat e tyre.

Duke respektuar prindërit që i lindën i rritën, sakrifikojnë e kujdesen deri në pafundësi edhe kur familja has oshilacionet e kohës në vështirësi ekonomike, shëndetësore, a angazhimeve të tyre, duke i qëndruar në krah njeri-tjetrit, do të bëhen më të fortë në kapërcimin e vështirësive e zgjidhjen e tyre.

Pra ne si prindër, fëmijët tanë, për sa kohë të dalin në jetë, duhet t’i mbajmë në dritë të syut, pa rënë në grackën e kohës se shkuar dëm, larg tyre dhe anasjelltas. Fëmijët tanë, kur zbardhen flokët e prindërve, kur zë i shuhet drita e syve, kur dhimbjet e sëmundjes e thyejnë si qelq fisniken nënë e të mirin baba, që të flet me fjalë shpirti e shpirt qelibar, natë e ditë t’u qëndrojmë pranë. Prindërit tonë të rrallë, meritojnë pafundësisht respekt & mirënjohje, ndryshe, bekimet e tyre s’do i meritojmë e vetë Zoti, do të na shohë vëngër…

S’duhet të lëmë asnjë shteg për ngjarje të tilla mes nesh, në familjet tona, në institucione që të mos shkelin në dashurinë e lëndinave të prindërve që thërmojnë shpresën dhe i bëjnë ëndërrat t’u bien këmbanave të jetës.

S’duhet të lejojmë ngatërrestare të pashpirt që hapin plagë në zemër, të ngrinë gjakun në trup e s’meritojnë ndjesë, veç përbuzjes.