ITALI – Policia italiane ka vënë në pranga një emigrant shqiptar, i akuzuar për përdhunimin e ish të dashurës së tij 16-vjeçare. Siç bëjnë të ditur mediat e shtetit fqinj, 21-vjeçari Ervis Dedja e kishte dehur vajzën në një diskotekë dhe më pas kishte abuzuar seksualisht me të në makinë, në një pyll në Montebelluna. 

Sipas policisë, i riu shqiptar kishte patur një lidhje sentimentale me vajzën që prej vitit 2011 dhe kërkonte të rikthehej me të, pavarësisht kundërshtimeve të 16-vjeçares. 
“E kërkonte vazhdimisht, e priste jashtë shtëpisë, e kërcënonte shpesh herë dhe së fundi kishte abuzuar edhe seksualisht me të.”- bën të ditur policia. 

Në dhjetor, vajza gjeti kurajën për tu treguar gjithçka prindërve të saj, të cilët e bindën të bënte denoncimin në polici. Momentalisht gjykata ka vendosur masën arrest shtëpie për 21-vjeçarin, i cili do të përfundojë në burg në rast se tenton t’i afrohet apo të komunikojë me vajzën.