Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka gjobitur me 100 mijë lekë kryetaren e bashkisë Durrës, Emiriana Sako, për shkak se ka përdorur ambientet e një shkolle të qytetit për të bërë fushatë në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit.

Masa e ndërmarrë ndaj kryebashkiakes, erdhi si pasojë e kallëzimit të bërë më herët nga “Qëndresa Qytetare”. Gjithashtu është gjobitur me 5000 mijë lekë të reja edhe drejtori i shkollës “Armath”, shtetasi Vlash Doda.

Njoftimi i plotë:

Komisioneri shpalli edhe vendimin për shqyrtimin administrativ të denoncimit të “Organizatës Qendresa Qytetare”, për shkelje të parashikuar në vendimin nr. 9, datë 24.12.2020 të Komisionit Rregullator në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ndaj Drejtorit të Shkollës 9-Vjeçare “Armath” dhe kandidatit për kryetar bashkie në bashkinë Durrës zj. Emiriana Sako, propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”.

Komisioneri vendosi sanksionin administrativ me gjobë ndaj Drejtorit të Shkollës 9-Vjeçare “Armath” z. Vlash Doda në shumën 5 000 (pesë mijë) lekë dhe sanksionin administrativ me gjobë ndaj kandidatit për kryetar bashkie në bashkinë Durrës, të propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, zj. Emiriana Sako në shumën 100 000 (njëqind mijë) lekë.