Kohët e fundit termi krizë duket se është prezent gjithandej. Pasojat e saj janë mjaft të ndjeshme në ekonomi, ndërkohë që edhe libri nuk kishte si t’i shpëtonte këtij fenomeni. Në mesjavë, Biblioteka Publike organizoi ekspozitën vjetore të titujve që përgjatë këtij viti i janë shtuar fondit libror të këtij institucioni. Megjithëse në dy muajt e mbetur të këtij viti mund të shtohen edhe tituj të tjerë të rinj nga dhurimet që mund t’i bëhen shtëpisë së librit nga autorë të ndryshëm, biblioteka nuk ka më mundësi të blejë libra të rinj me fondet e saj. Kjo për shkak të shkurtimit të shpenzimeve.
Fondi i akorduar këtë vit nga pushteti lokal për bibliotekën ishte më i vogël se vitet e tjera, ndërkohë që nga muaji shtator Biblioteka Publike nuk pati mundësi të blinte libra të rinj. Kjo situatë domosdoshmërisht reflektohet edhe tek sasia e titujve me të cilat është pasuruar fondi libror. Ndërsa një vit më parë biblioteka e shtoi fondin e saj me 584 tituj të rinj, ku përfshihen blerjet, dhurimet dhe sektori i albanologjisë, këtë vit shifra është e përgjysmuar, me vetëm 294 tituj në total.
Diferenca në numrin e titujve të rinj vjen si pasojë e fondit të reduktuar. Ndërsa gjatë vitit 2011 në total biblioteka grumbulloi një fond libror me vlerë të përgjithshme rreth 1.5 milion lekë të reja, në periudhën janar-tetor të 2012 vlera është më tepër se e përgjysmuar, vetëm 650 mijë lekë të reja. Duket se këtë diferencë të theksuar mes dy viteve të fundit do ta vuajnë më së shumti lexuesit e rregullt.
294 tituj të rinj i janë shtuar fondit të bibliotekës publike, një vit më parë numëroheshin 584 tituj të rinj
650 mijë lekë ishte fondi i bibliotekës për këtë vit, ndërsa gjatë vitit 2011 ishte rreth 1.5 milion lekë
125 tituj të rinj i janë shtuar bibliotekës në formën e dhurimeve, një vit më parë dhurimet ishin 250
Në pamundësi ekonomike për t’i blerë vetë të gjithë titujt e rinj, shumë lexues i drejtohen bibliotekës për të shuar kuriozitetin për libra apo autorë të ndryshëm, shqiptarë apo të huaj. Titujt e rinj të hedhur në treg duke nisur nga muaji shtator e deri në dhjetor nuk do të bëhen pjesë e fondit të këtij viti, vetëm me përjashtime të pakta, kur autorët, shtëpitë botuese apo donatorë të ndryshëm do t’i dhurojnë bibliotekës libra të rinj të shtypur së fundmi.
Pjesa më e madhe e fondit të sivjetshëm i përket letërsisë artistike, kryesisht asaj të huaj, pasi botimet e autorëve shqiptarë janë më të paktë në numër. Gjatë këtij viti janë botuar një sërë librash me tematikë historike, nisur kjo edhe nga 100 vjetori i pavarësisë. Vlen të theksohet se fondi libror ka humbur në raport me një vit më parë edhe në rastin e dhurimeve, ku diferenca mes këtij viti dhe 2011 është sërish e ndjeshme. Ekspozita e këtij viti tërhoqi vëmendjen kryesisht të intelektualëve durrsakë, të njohur për pasionin e tyre të madh për letërsinë dhe librin në përgjithësi.