Punonjësja e një subjekti privat u arrestua nga Policia e Tiranës sot (14 prill), pasi akuzohet për vjedhjen nëpërmjet një çelësi kopjo të kasetës ku mbaheshin sendet e klientëve të një marketi, duke vjedhur prej andej 40 mijë paund të një kambisti që kishte hyrë për të blerë.

Burime zyrtare bënë me dije se nga kontorlli kanë gjetur edhe shumën e valutës së konsiderueshme të vjedhur, kurse operacioni është koduar “kaseta”.

Policia zbardhi edhe detajet e ngjarjes. Sipas burimeve hetimore, gruaja e arrestuar, shtetasja M. Xh., dyshohet se kishte përgatitur skemën disa ditë përpara ngjarjes.

Ajo kishte shkuar në ambientet e marketit dhe kishte arritur të vidhte çelësin e njërës prej kasetave ku klientët depozitojnë përkohësisht sendet personale.

Më pas, punonjësit e marketit kishin konstatuar mungesën e çelësit dhe kishin marrë masa duke e zëvendësuar atë me një kopje tjetër.

Ditën e ngjarjes, një klient, punonjës në një pikë këmbimi valutor, kishte vendosur në kasetë një çantë me 40 000 paund, duke përdorur çelësin e ri, kopje. Në të njëjtën kohë, e dyshuara ka shfrytëzuar çelësin origjinal të vjedhur më herët për të hapur kasetën dhe për të marrë shumën e konsiderueshme të parave, pa rënë menjëherë në sy.

Shuma e vjedhur u gjet më pas nga policia në ambientet e subjektit ku punonte e dyshuara dhe u sekuestrua si provë materiale, ndërsa ndaj saj rëndon akuza për vjedhje.

Një tjetër aksion u krye në kryeqytet i koduar “The driver”, ku u arrestua L.B., 28 vjeç, po për vjedhje. Për 6 muaj dyshohet se ka përvetësuar 3 mln lekë duke i shitur pajisje subjektit ku ishte punësuar si shofer, për përpunim kafeje.

Njoftimi i Policisë Tiranë:

“Në kuadër të operacionit të koduar “The driver”, u arrestua shtetasi L. B., 28 vjeç, i cili dyshohet se për një periudhë prej 6 muajsh ka përvetësuar rreth 3 000 000 lekë. Ai akuzohet se ka shitur për llogari të tij pajisje të subjektit ku ishte i punësuar si shofer, konkretisht pajisje për përpunimin dhe konsumimin e kafesë. Si provë materiale, policia sekuestroi edhe një automjet në pronësi të subjektit, i përdorur për transportin e pajisjeve të vjedhura.

Ndërkohë, në operacionin “Kaseta”, u vu në pranga shtetasja M. Xh., e dyshuar për vjedhjen e 40 000 paundëve. Sipas hetimeve, shuma ishte lënë përkohësisht në kasetën e depozitimit në një market nga një klient, punonjës i një pike këmbimi valutor. Paratë u gjetën në ambientet e subjektit ku punonte e dyshuara dhe u sekuestruan si provë materiale.

Materialet procedurale për të dyja rastet i janë referuar Prokurorisë së Tiranë, e cila do të vijojë me hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjeve”.