Gjykata e Lezhës ka liruar 8 tifozët e arrestuar të shtunën për përplasjen fizike të ndodhur në një pikë karburanti në Reps të Mirditës pas ndeshjes Tirana-Vllazni në Kukës.
Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, pasi u dëgjuan palët, Gjykata caktoi masën e sigurisë detyrim paraqitjeje.
Nga përplasja e dhunshme të pasdites të së shtunës mbetën të plagosur 5 tifozë.
Tirana fitoi 0-1 me Vllazninë në stadiumin e Kukësit, për javën e tetë në Superligë. Në “Kukës Arena” të pranishëm ishin tifozët e të dyja skuadrave, që pas përfundimit të sfidës u përleshwn në Reps. Rrugës për në kthim, ultrasit nuk kanë lënë pa përdorur sendet e forta kundër njëri-tjetrit, në një përleshje të dhunshme.
Të dyja tifozeritë njihen për rivalitetin ndër vite.
Pas përfundimit të sfidës, tifozët e Vllaznisë duket se janë ndjerë të zhgënjyer, pasi skuadra e tyre pësoi golin në minutën e 90+7 të ndeshjes, pikërisht në aksionin e fundit nga Hasani.