23 maj 2015 – Zona simbol e Durrësit, ajo që njihet nga durrsakët si Vila e Zogut, po rikthehet në identitet për shkak të projekteve infrastrukturore që kanë nisur të realizohen aty.

Gjatë përurimit të sotëm të kësaj rruge, ashtu siç është bërë zakon tashmë, i pranishëm ishte kreu aktual i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, me banorët e zonës përkatëse.

Përpara tyre, kandidati Dako bëri dhe premtimet e radhës ku u zotua se shumë shpejt do të rikualifikohet i gjithë parku i kësaj kodre, do të ndërtohen dy sheshe të reja, si dhe do të ndërtohet një plazh i ri publik në Currila, i gjerë rreth 100 metra.

Sheshet e reja sipas Dakos do të ndërtohen njëri në sheshin përpara portit me vlera të rralla arkitektonike, dhe tjetri përpara Mauzoleumit të Dëshmorëve që do të jetë sheshi i drejtësisë, në të cilin do të vendosen godinat e gjykatës dhe prokurorisë, madje edhe biblioteka e re e qytetit.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/