Nga Metila Dervishi
Kur 'patriotizmi' nuk tregohet vetëm me një flamur dhe për dy ditë festash!
Marsida Koni-pianistja e famshme shiptare, me një karrierë të suksesshme në Itali, përhap tingujt shqiptar në 40 vende të botës nën titullin: 'Albanian Piano Music' përzgjedhur nga e famshmja Brilliant Classics! Artistja e parë që nxjerr një CD të plotë me pjesë shqiptare!
Në këto ditë festash kombëtare sheh të valëviten flamuj kudo dhe njerëz që përpiqen të tregojnë dhe të brohorasin fort që ‘Jam shqiptar”, shumë shenja shqiponjash kudo e shumë ekzaltime, festa të mëdha nëpër shkolla e kudo nëpër pub-e e club-e, nuk mund të mos prekesh e mallëngjehesh e të thuash, ‘Uau sa shumë e duan dhe duam vendin’. Megjithëse në të përditshmen tonë, cuditërisht, befasisht na ndodh krejt e kundërta, hasim rëndom njerëz që përcmojnë njëri-tjetrin, njerëz që shajnë e ofendojnë, si pa të keq, njerëz që shajnë punën, madje ato pak orë pune, njerëz që shajnë dhe ato që punojnë siç duhet, njerëz që nuk respektojnë shenjat e qarkullimit, që nuk i hapin rrugën njëri-tjetrit, sepse janë ‘shqiptar’, njerëz që arrijnë deri aty sa edhe një karroce bebesh nuk ia hapin rrugën, njerëz që e urrejnë dijen, përcmojnë shkollën, librat, madje e duan fort atë diplomën, po nuk ka rëndësi që duan ta marrin dhe pa libra e pa provime, a e dini përse, sepse mendojnë që janë shqiptar, etj, etj, e shumë etj. të tjera fatkeqësisht, fenomene negative pafund, por që cuditërisht flamurin dijnë ta ngrenë e mbajnë dhe dijnë të ulërasin e bërtasin, e shyqyr që dijnë dhe të festojnë, por që nuk dijnë të respektojnë faktin që janë shqiptar, sepse nuk dijnë të respektojnë veten dhe që me dëshirë të madhe mohojnë e as duan t’ia dijnë për historinë, sepse nuk e dijnë që pa ditur historinë nuk mund të ndërtosh as të ardhmen e madje as të tashmen dhe ende nuk e dijnë që pa histori je thjesht ‘AKUSHI’!
Ndërrojmë atmosferë dhe të shkojmë te ana tjetër dhe e mrekullueshme e ‘shqipeve’ tona, shkojmë nga tingujt ç’akordues te tingujt e bukur harmonik, te ‘fatmirësitë’ tona, tek ato ‘shqipe’ e shqiptar që kontribuojnë dita-ditës, si milingona, që me mund e sakrifica, me orë të palodhura pune investojnë e tregojnë një pamje tjetër tonën, ata që e duan historinë, që e duan vendin e tyre, këto janë ato ‘krijesat’ e tjera me dinjitet që ia rrisin vlerat vendit që përfaqësojnë dhe që nuk kanë nevoj thjesht për një apo dy ditë që të brohorasin ‘Jam shqiptar’, por ‘brohorasin’ dhe ‘ulërasin’ dita-ditës me një vullnet të hekurt duke shfytëzuar cdo sekondë e milisekondë dhe duke treguar me mënyra të tjera që ‘Jam shqiptar’, pa dashur të bien shumë në sy.
Dhe për arsye që shpesh nuk e di, qëllon fati apo rasti që kryesisht këta persona, këta ‘shqiptarët’ e tjerë të jenë kryesisht jashtë vendit. Dhe pikërisht sot, un do të flas e do të përqendrohem, te një vajzë e cila e thotë fort, që ‘Un jam shqiptare 100%’! E kjo shqiptare, që ka nisur rrugëtimin e saj në Shqipëri dhe fati, përkushtimi, talenti, mundi, pasioni orët e gjata të punës pa lodhje e çuan ne Itali, kjo shqiptare që dashurinë dhe dëshirën për të përcuar tingujt e kompozitorëve vendas e ka patur që në bangat studentore të Akademisë së Arteve, sot Universiteti i Arteve, arriti të pushtoj zemrat e italianëve, duke realizuar përditë një aktivitet intensiv atje, kjo shqiptare, ka nxerrë këtë vit për herë të parë e përzgjedhur nga Briliant Classics, CD-në e parë të plotë me pjesë nga kompozitor shqiptar ‘ Albanian Piano Music’. Kjo shqiptare, me të drejtë pjesë e Albanian Excellence, është pianistia Marsida Koni. Dhe shumë shpejt do të kemi fatin ta dëgjojmë në Shqipëri, ku do të bëhet promovimi i kësaj CD-je me kaq rëndësi për historinë e muzikës shqiptare, në ambientet e Akademisë së Shkencave.
Këto ditë doli dhe recenca nga kritiku, muzikanti, personaliteti i artit Britanik Philip R. Butall, ku pasi përshkruan shqipërinë dhe bën analizat përkatëse të pjesëve, ndër të tjera shkruan:’… Marsida Koni duket se është shpërndarësja ideale për këtë muzikë. Ajo ndjehet komode si në pjesët nostalgjike ashtu edhe në ato romantike, duke mos zvogëluar apo thjeshtëzuar kurrë asgjë dhe me një teknikë të aftë për të luajtur ato pasazhe të Virtuozitetit Lisztian me një vetëbesim të madh.’
Ndër të tjera në gazetën italiane ‘PerugiaToday’, flitet për këtë ngjarje dhe është një artikull fund e krye mbushur me superlativa për Marsidën, nën titullin: ‘Vendi i shqiponjave ‘rrëfehet’ nga pianoforte e Marsida Konit, shqiptare me origjinë, perugjiane në adaptim’.
E në mes morive të punës si pianiste, të sukseseve që ka dhe që po e presin, duke qenë dhe një bashkëshorte dhe një mama shembull, ajo me modestinë dhe përkushtimin që e karakterizon nuk heziton të gjej kohën për të na treguar më shumë, duke sakrifikuar dhe orët e gjumit të natës, sepse në fakt kështu janë tërë artistët e vërtet. Janë shumë artist shqiptar anembanë botës, që duhen falenderuar në fakt, sepse janë të shumtë ata që këtë vend të vogël, e bëjnë shumë të madh me punët e tyre të palodhshme, por, sot në këtë atmosferë festash, do të donim që të falenderonim mbi të gjitha Marsidën, sepse ajo bëri CD e parë me muzikë profesioniste shqiptare, që ka nisur të dëgjohet në mbarë botën, duke përçuar tinguj të kompozitorëve shqiptar në të gjitha gjuhët.
Intervista me Marsida Konin
Marsida keni regjistruar për një ndër shtëpite diskografike më të rëndësishme internacionale “Brilliant Classics” dhe keni hedhur në tregun botëror, saktësisht në 40 vende të botës, CD me titull ‘Albanian Piano Music’. I pari në këtë lloj për Shqipërinë. Si ndjeheni?
Para 17 vjetësh pothuajse, isha studente në vitin e parë të Akademisë së Arteve, mbas mësimit të analizës se formave muzikore, duke biseduar me Prof. Kozma Lara, i fola rreth idesë që kisha filluar të bluaja në kokë, atë të përhapjes së muzikës shqipare. Mbasi diskutuam për problemet dhe vështirësitë që kishte në fund të bisedës i them: Nuk e di sesi, por jam e sigurt që do t’ia dal një ditë! Ai më dëgjoi me kujdes dhe të nesërmen më solli një libër me sonatat e tij për piano dhe në të kishte shkruar: “Marsidës, pianistes që premton në të ardhmen në ekzekutimin e veprave tona. Me respekt Kozma Lara”
Sa herë qe e shikoj ate dedikim, brënda meje them: Profesor e mbajta fjalën !
Brilliant Classics, një ndër etiketat më të fuqishme në tregun mbarëkombëtar sidomos në shpërndarjen e tyre. E prisnit që do ju zgjidhnin ju dhe pikërisht me vepra të kompozitorëve shqiptar?
Gëzimi ishte i dyfishtë, si nga ana profesionale personale si dhe nga ana e përzgjedhjes për rregjistrim të repertorit shqiptar pianistik.
Një kompani që është mjaft selektive në perzgjedhjet qe bën për artistët e saj. Ju sot jeni një ndër artistët Brilliant: E prisnit që zgjedhja do të ishte mbi ju?
Për këtë i jam mirënjohëse pafund Producentes Rosella Clementi. Ishte ajo që bëri propozimin dhe prezantimin tim në Brilliant Classics.
Në fakt edhe pse jeton dhe ke “ rrëmbyer “ zemrat e italianëve, je vlerësuar nga Bashkia e qytetit të Perugias, gazetarët e qytetit të quajnë “ Pianistja e adoptuar peruxhiane” duket se është një pasion yti dhe një pjesë e jotja e pandarë Shqipëria dhe muzika shqiptare, pasi është një projekt që e keni nisur në 2012 duke promovuar në Itali nën titullin “La mia storia. L’ALbania musicale sotto la dittatura di Enver Hoxha”. Nga buron kjo lidhje kaq e fortë, nga kujtimet, vlerësimet që ke patur këndej apo krenaria e pashjegueshme për rrënjët e tua?
Në çdo vend apo kohë, të duash vendin tënd do të thotë të duash veten.Të respektosh dhe të ruash me fanatizëm artin e vendit tënd, do të thotë të respektosh një pjesë tënden, themelin e asaj që ti ke ndërtuar të tashmen dhe ku pretendon të ndërtosh të ardhmen. Nuk mund të pretendojmë të na duan apo të na ndihmojnë të tjerët,kur ne jemi të parët që nuk e bëjmë.
A mund të na flisni pak për personin që arriti t’ju rrëmbejë zemrën ? Bashkëshortin tuaj. Një artist i kompletuar dhe tepër i njohur jo vetëm në qarqet artistike italiane por edhe ato ndërkombëtare. Cila është historia juaj…
Me Pieron jemi bashkë prej 14 vjetësh tashmë. Historia jonë është ajo e 2 muzikantëve që njihen dhe rastësisht i vendosin të luajnë bashkë në duo. Koncerti shkoi aq mirë saa vendosëm të vazhdonim të qëndronim në Duo jo vetëm në skenë për jetë.
Megjithëse është bukur të jesh një çift muzikantësh dhe sintonia juaj eshte e dukshme, nga ana tjetër pikërisht të qenit dy muzikantë nën një çati ka edhe vështirësite e veta, cila mendoni që është pika juaj e fortë, si ia dilni ta menaxhoni me jetesën e ngjeshur që kanë artistët?
Çdo cift mund të jetë në sintoni perfekte, sekreti është që të bëhet me përpikmëri ajo çfarë thotë bashkëshortja (qesh). Bëj shaka….Për ne, ndoshta pika më e rëndësishme që kemi është mirëkuptimi. Megjithëse është një fjalë shumë e njohur, shpeshherë mbetet vetëm te fjalët dhe nuk vendoset në veprimet apo në jetën e përditshme. Ne jemi muzikantë për zgjedhje por mbi të gjitha jemi qenie njerëzore dhe si të tillë duhet të trajtojmë veten dhe të tjerët.
–Kurorëzimi i dashurisë suaj është e vogla Martha, po me të si ia 'dilni mbanë', apo shkon sa në një provë në tjetrën, cfarë preferon Martha më shumë koncertet me instrumentin e klarinetës, apo është e dashuruar me pianon?
Martha e vogla jone… Pesë vitet e para mbajtem “peng”gjyshërit nga Shqipëria, në vecanti Nëna Dianën. Tani që është pak më e madhe përpiqemi të organizohemi vetë si dhe me ndihmën e një babysitter. Martha është e dashuruar me violinën. Kur ia dhuruam në fillim, ditët e para flinte me violinën pranë..
-Si ndjehet Martha me muzikën dhe ti si mami cfarë ke më shumë merak për të dhe edukimin e saj?
Është një fëmijë që i pëlqen muzika. Ajo që unë si prind do të doja, është që Martha të kultivonte brenda saj respektin për veten fillimisht. Një njeri që respekton veten di të respektoj edhe të tjerët dhe kalon më me lehtësi problematikat apo pengesat në jetë.
-Të kthehemi sërish te muzika shqiptare, pse pikerisht ky repertor te kjo CD?
Ky është një repertor që mua më ka shoqëruar në formimin tim pianistik në Shqipëri dhe ndonjeherë është bukur të kthesh edhe kokën pas për të kujtuar…
-Cila nga pjesët të ka ngrënë më shumë kohë teknikisht?
Me tepër sesa teknikisht koha që kam investuar më tepër me këto vepra ka qenë nga ana muzikore. Të luash nota edhe të vështira është e thjeshtë, të bësh muzikë nuk është e thjeshtë.
-Po pjesa qe ke me përzemër?
( qesh)… Duaje emrin tënd… e Thomas Simakut.
-Po kompozitori, nëse do të mund ta thuash?
Tonin Harapi
-Je profesioniste dhe te pjesë të tilla që ka që nga gjinitë më të vogla e më të medha, interpretimi ka më shumë rëndësi, ku mendon që ti futesh më shumë apo je më afër në psikologji?
Secila prej tyre është një histori më vete. Mendoj se një profesionist duhet të futet me kujdes në një vepër, të përpiqet të nxjerrë në pah atë cka kompozitori ka dashur të thotë apo të shprehë fillimisht, duke i shtuar me pas temperamentin dhe këndvështrimin e tij…
–Po shkolla shqiptare e muzikës për çfarë mendon që ka më shumë nevojë, flas nga ana pedagogjike, duke qenë se ikët në Itali pas një eksperience si pedagoge në Universitet dhe sërish në Itali vazhdoni dhe investoni në këtë drejtim, cfarë shihni si anë pozitive dhe si anë negative
Duke qenë e shkëputur prej kohësh nga shkolla shqiptare dhe kam vite që nuk e ndjek nga afër, nuk do të isha në gjëndje të jepja një përgjigje koherente. Por mund të jap eksperiencën time si nxënëse apo studente e kësaj shkolle fillimisht. Mësuesit dhe pedagogët tanë na kanë dhënë gjithmonë maksimumin e tyre.
Kujtoj me respekt pedagogët e mi Nermin Asllani dhe Keti Qosja me të cilët kam studjuar 8 vitet e para pranë Shkolles së Muzikës Onufri, në Elbasan, pedagogen Enika Gjokoreci në Liceun Artistik Jordan Misja. Kujtoj me shumë dashuri dhe nostalgji periudhën kur studioja në Akademinë e Arteve me pedagogen e shkëlqyer Rudina Ciko, e cila më është dedikuar gjithmonë me shumë përkushtim duke më percjellë gjithmonë eksperiencën e saj si pedagoge, si pianiste si dhe cdo detaj dhe cdo të re që merrte gjatë eksperiencave të saj në kurset e shumta të specializimeve që ajo kryente jashtë vendit.
Sot kuptoj më mirë që të bësh pedagogun e një instrumenti nuk është e thjeshtë, pasi ti ke të bësh gjatë orës se mësimit vetëm me një student. Nqs unë si pedagoge i dedikohem dhe përpiqem të jap maksimumin e asaj që unë di dhe ana tjetër marr si kundërpërgjigje indiferencë apo mos impenjim, puna bëhet e padobishme, e pafrytshme, e lodhshme dhe bezdisëse.
Unë nuk besoj se ka profesor shqiptar që të ketë një student të impenjuar dhe mos t’i dedikohet me të gjithë bagazhin e tij kulturor dhe pedagogjik.
-Në karrierën tënde artistike është rezervuar sërish edhe një surprizë e re, a mund të na flasesh pak mbi të?
Më 30 nëntor përfundoj së regjistruari CD-në e dytë me vepra shqiptare të titulluar “Il 900 pianistico albanese” me një Etiketë Diskografike Italiane “Flipper Music”.Kjo CD do të përmbledhë vepra nga kompozitori i parë shqiptar që ka shkruajtur për piano Lec Kurti, për të vijuar më pas me kompozitorë si Ramadan Sokoli, Tonin Harapi, Tish Daija, Simon Gjoni, Albert Paparisto, Kozma Lara, Haig Zacharian, Shpëtim Kushta, Aleksandër Gashi dhe deri tek kompozitorët me të rinj si Endri Sina. Surpriza tjetër është se disa nga këto vepra Presidenti i Flipper Music, të cilin përfitoj nga rasti për ta falenderuar publikisht z. Romano di Bari, mbas një propozimi të bërë, pranoi përvec se t’i rregjistrojë edhe t’i publikojë partiturat pranë shtëpise botuese “Flipper”. Këto ditë jemi pikërisht duke u marrë me detajet e fundit të veprave bashkë me kompozitorët për t’i dërguar më pas për publikim.
-Si ia bën që je dhe pedagoge, pasi ke dhe një Akademi tënden, pianiste koncertiste, koncert maestër , bashkëshorte dhe mami e denjë dhe 100%shqiptare?
( qesh) Përgjigjja është brenda në pyetjen tënde. Jam 100 % shqiptare !
-Marsida, pritet që më dt 8-dhjetor të vini në Shqipëri dhe të realizoni promovimin e kësaj Cd-je në Tiranë, në ambientet e Akademisë së shkencave, nga Ju erdhi ftesa?
Aktivitet e mia në Shqipëri mbajnë gjithmonë një emër dhe falenderimi shkon vetëm për Të: Albanian Excellence dhe Presidentja e saj znj. Flora Nikolla, të cilën e përshëndes dhe e përgëzoj për të gjitha aktivitetet që ajo me një forcë të jashtëzakonshme organizon. Në të vërtet unë do të vija në Shqipëri për një aktivitet shumë të bukur dhe domethënës që Albanian Excellence organizon më datë 7 dhjetor në mbrëmbje “Zonjat që bëjnë Shqipërinë”. Flora përvec se një profesioniste e rrallë për mua është një mike e shtrenjtë, kështu që cdo ftesë nga ana e saj ka precedencën. Gjithashtu menduam që më datë 8 dhjetor ora 11.00 në bashkëpunim edhe me Akademinë e Shkencave dhe Prof. Vaso Tole, të organizojmë promovimin e CD në Tiranë.
-Vini në periudhë festash në fakt, keni menduar Tiranën apo diku tjetër do i kaloni festat?
Festat këtë vit do t'i kalojmë në Itali me miq italianë dhe arbereshë.
-Cilat janë projektet e së ardhmes, ke sërish ndërmënd dicka mbi muzikën e vendit tënd?
Projektet e ardhshme janë 3 CD të reja me 2 shtëpi të ndryshme diskografike. Dy CD me vepra të vitete 900 me Flipper Music, një CD me vepra nga Schumman me shtëpinë diskografike “ Urania” si dhe kam marrë këto ditë një propozim për të rregjistruar për një tjetër etiketë diskografike italiane, Dynamics.
Nqs do t'i jepni nje këshillë të rinjve, cila do të ishte ?
Ëndërroni pa fund pa harruar se sa më të mëdha të jenë ëndrrat aq më e madhe është puna, impenjimi dhe sakrificat që duhen bërë për t’i realizuar ato. Na kanë gënjyer kur na kanë thënë “Jeta është e vështirë”, jeta është e mrekullueshme. Mjafton që ti ti vësh në dispozicion punën tënde dhe ajo të shpërblen duke të realizuar ëndrrat më të bukura !