Sekretarja për Marrëdhenien me Publikun në PD Durrës,Viola Kapidani, pranon publikisht përfshirjen e saj në garën për primaret në qytetin bregdetar.

Tashmë që partia më e madhe opozitare ka ndezur motorët e fushatës elektorale dhe ka ftuar të gjithë të interesuarit të bëhen pjesë e procesit të primareve nga të cilat do të dalin kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 11 majit, Kapidani, përmes një statusi në rrjete sociale, ka pranuar të jetë pjesë e garës.

Pinjollja e familjes Kapidani, që njihet në qytet për lidhjen mjaft të hershme me PD dhe kontributet e vazhdueshme pranë kësaj force politike, e sheh si një zgjedhje, por edhe mision angazhimin e vazhdueshëm pranë strukturave partiake lokale.

Me ndjenjën më të madhe të përgjegjësisë dhe përkushtimit, kam vendosur të kandidoj për primaret e Partisë Demokratike në Durrës.

Jam vajzë e këtij qyteti, lindur dhe rritur mes vlerave, traditave dhe dinjitetit që karakterizojnë qytetin e Durrësit. Vij nga një familje me rrënjë të thella në të djathtën shqiptare, nga dera e Kapidanëve, ku dashuria për lirinë, demokracinë është trashëguar brez pas brezi.

Angazhimi im politik në Partinë Demokratike fillon që në rininë time të hershme, duke qenë jo thjesht një zgjedhje por dhe një mision për të kontribuar sa më shumë në forcimin e së djathtës shqiptare dhe vlerave që ajo përfaqëson sic janë dashuria për atdheun, familja e besimi në Zot”,- thotë Kapidani ndër të tjera në statusin e saj.

Për të, qyteti ku është lindur dhe është rritur meriton më shumë, meriton një qeverisje me një viziom të qartë dhe një predispozitë të mirëfilltë për të vendosur interesin qytetar mbi çdo interes tjetër.

Duke e parë të ardhmen e qytetit në këtë prizëm, Kapidani premton se nëse do të jetë deputete e Kuvendit të Shqipërisë, do të jetë zëri i çdo qytetari durrsak.

“Me ndihmën dhe mbështetjen tuaj, unë do të jem zëri i çdo durrsaku që kërkon një qeverisje të ndershme, transparente dhe të aftë. Së bashku, le të bëjmë një ndryshim të vërtetë për qytetin tonë dhe të rikthejmë besimin te forca e vërtetë e së djathtës dhe ta bëjmë Partinë Demokratike fituese!

Ftoj çdo demokrat dhe çdo qytetar të Durrësit të bashkohet me këtë sfidë, sepse të gjithë bashkë mund të ndërtojmë të ardhmen që meritojmë për veten dhe fëmijët tanë!”,– shkruan ajo.