Vijon të jetë në arrati autori i dyshuar i plagosjes së një 50-vjeçari mbrëmjen e së enjtes në qytetin e Shijakut.

Policia vijon punën për kapjen e 38-vjeçarit Ervis Hodo, të identifikuar si autor të ngjarjes së regjistruar rreth orës 22:10 të së enjtes në lagjen “Popullore” të Shijakut.

Ai ka qëlluar me pistoletë mulli tregtarin e makinave Ardian Çyrbjan, i cili ka marrë tre plagë, një në bark, një në ije dhe një afër zemrës.

Konflikti mes tyre ka nisur më parë në lokalin e lagjes, ku 38-vjeçari Hodo po konfliktohej me një person tjetër, në momentin kur Çyrbja ka ndërhyrë për të shuar gjakrat.

Kjo s’ka rezultuar kështu, pasi debati me zë të lartë percipitoi me përfshirjen e tij në konfliktin, që u zhvendos më pas në rrugën poshtë pallatit.

Autori ka pritur që Çyrbja të largohet drejt shtëpisë, kur dhe i ka dalë para dhe e ka qëlluar në sy të bashkëshortes dhe djalit të mitur.

Burime nga policia vendore bëjnë të ditur se i plagosuri nuk është person i panjohur për ta.

Dy vjet më parë ai është ndaluar nga policia e Shijakut për plagosjen me thikë të një 21-vjeçari, gjithashtu banor i lagjes “Popullore”.

Në shtator të vitit 2021, ndaj Çyrbes me vendim gjykate u pushua çështja penale për plagosje të rëndë me dashje.