Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me plagosjen e 15-vjeçarit ditën e djeshme në ambientet e një picerie në “Ali Dem”. Policia bën me dije se ka identifikuar dhe shpallur në kërkim një 21-vjeçari i cili dyshohet si autori i plagosjes.
Gjithashtu policia bën me dije se ka arrestuar 3 punonjës të picerisë pasi nuk kanë kallëzuar për ngjarjen. Sipas policisë ata kanë pastruar vendin e ngjarjes dhe kanë hequr DVR-në e kamerës së sigurisë në piceri. Në kërkim është shpallur edhe administratori i picerisë. Ka nisur edhe procedimi penal për një 15-vjeçare për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Njoftimi i plotë:
DVP Tiranë/ Zbardhen dhe dokumentohen rrethanat e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, te “Ali Demi”, ku u plagos me armë zjarri një 15-vjeçar. Identifikohet dhe shpallet në kërkim një 21-vjeçar, i cili dyshohet se e ka qëlluar me armë zjarri atipike 15-vjeçarin, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në një piceri.
Arrestohen 3 punonjës të picerisë dhe shpallet në kërkim administratori i saj, pasi nuk kanë kallëzuar për ngjarjen dhe kanë kryer veprime për të penguar zbardhjen e saj. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur dje, te “Ali Demi”, ku u plagos me armë zjarri një 15-vjeçar, kanë identifikuar autorin e dyshuar dhe disa shtetas të përfshirë në përfshirë në këtë rast.
Në vijim të veprimeve procedurale: u shpall në kërkim autori i dyshuar i plagosjes, shtetasi A. N., 21 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”; u shpall në kërkim L. M., 24 vjeç, administratori i picerisë ku ndodhi ngjarja, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;
u arrestuan shtetasit F. B., 20 vjeç, A. H., 29 vjeç dhe K. B., 20 vjeç, punonjës të picerisë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Këta shtetas dyshohet se kanë pastruar vendin e ngjarjes dhe kanë hequr DVR-në e kamerës së sigurisë në piceri.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për një shtetase 15 vjeçe, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të metejshme.