KANADA – Policia kanadeze ka ndërhyrë në kohë dhe ka parandaluar një sulm që mund t’I kushtonte jetën  Justin Bieberit. 

Autoritetet amerikane njoftuan arrestimin e dy personave, Mark Staake dhe nipin e tij, Tanner Ruane. Dy të ndaluarit po planifikonin të rrëmbenin e më pas të vrisnin këngëtarin adoleshent, Justin Bieber. 

Gjithçka është zbardhur nga truri i planit, Dana Martin, një i dënuar me 978 vite burgim në Nju Meksiko për përdhunimin dhe më pas vrasjen e një vajze 15-vjeçare. Policia kishte rënë në gjurmët e planit nëpërmjet përgjimit të telefonatave të Martin. 

Martin zbardhi gjithë planin për vrasjen e Bieber, që fillimisht duhej të ndodhte gjatë koncertit të këngëtarit në Nju Jork, muajin e kaluar, por që ishte shtyrë nga dy autorët. 

Mark Staake dhe Tanner Ruane u arrestuan nga policia në Vermont dhe në mjetin e tyre u gjetën pinca dhe mjete të tjera të torturës. Dy të arrestuarit ishin takuar disa herë në burgun e Nju Meksikos me Dana Martin. Ky i fundit u kishte kërkuar atyre vrasjen e Bieber. Siç njofton policia amerikane, Martin është “i fiksuar” pas këngëtarit kanadez, aq sa në këmbë mban një tatuazh me fytyrën e tij.