Zona më prioritare për turizmin në bazë të planit të ri rregullues të qytetit është ajo jugperëndimore nga shëtitorja “Taulantia” deri te zona e Kallmit. Shkatërrimi i vlerave arkeologjike për ndërtime të pakontrolluara me dashje apo pa dashje është bërë rrezik kombëtar për trashëgiminë që na kanë lënë të parët tanë. Durrësi, për shkak të prapambetjes që trashëgoi në infrastrukturë, ka pasur një bum ndërtimesh. Dihet se një pjesë e madhe e ndërtimeve private në zonat bregdetare u ngritën pa leje dhe këtu nuk mund të llogariten dëmet e sjella. Por, ka pasur ndërtime me apo pa leje edhe në qendrat arkeologjike të Durrësit. E pafajshme në këtë zallamahi ndërtimesh është vetëm kova e buldozerit që natën apo ditën, ndoshta edhe nën vëzhgimin e specialistit të ngarkuar me këtë detyrë, futet në thellësi duke shkatërruar monumentet njëri pas tjetrit.

Të pafajshëm dhe të nderuar janë vetëm koleksionistët durrsakë, që në mënyrë sistematike kontrollojnë hedhjet e shumta të kamionëve me mbetje arkeologjike që mbushen në gropat e pallateve të rinj në qytetin e Durrësit. Fati është me ta kur mbetjet arkeologjike nuk përfundojnë në det, por në Spitallë, Porto-Romano, apo përgjatë rrugëve të tjera automobilistike. Në vazhdën e dëmtimeve të mëdha të pasurisë arkeologjike janë futur dhe të gjitha gërmimet për ndërtimin e rrugëve dhe veprave të tjera industriale. Ligji, si në gjithë Evropën, ku ne shpresojmë të futemi, ka parashikuar kontrollin e gjurmës para bërjes së projektit të zbatimit dhe praninë e punonjësve të institucioneve të specializuara gjatë punimeve të gërmimit (citojmë neni 47: "Në rastet e ndërtimeve te mëdha në territore në pronësi shtetërore ose private, si rrugë, autostrada, aeroporte, porte, vepra industriale, qendra të reja banimi, investitorët janë të detyruar që, gjatë proçesit të projektimit dhe zbatimit të projektit të marrin miratimin, me shkrim, të Këshillit Kombëtar të Restaurimeve dhe të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë.

Specialistët kryejnë kontrollin e zonës dhe përgatisin dokumentacionin përkatës. Kur zona përmban vlera të rëndësishme arkeologjike, etnografike ose gjurmë të arkitekturës së lashtë ose tradicionale, projekti duhet të ndryshojë. Shpenzimet për kryerjen e hulumtimeve të nevojshme, përgatitjen e dokumentacionit, si dhe ndryshimet e mundshme të projektit kryhen nga investitori"). Por, në qytetin tonë, kur investitor është shteti shqiptar, kjo praktikë mungon. Deri kur organet e pushtetit vendor dhe institucionet e ngarkuara me ligj për ruajtjen dhe administrimin e pasurisë arkeologjike do të lejojnë që nëntoka e tyre të trajtohet si mall pa zot? A mund të lejohen ndërtime në zona arkeologjike?

 

GIUSEPPSE KOTORI: Është gabimi më i madh që është bërë dhe vazhdon të bëhet. Arkeologjia tregon origjinën dhe historinë e shqiptarëve, prishjet e zonave arkeologjike mund të kryhen vetëm nga antishqiptarët.

ARIVET ARI: Kjo do të thotë që në komunën e Durrësit ka njerëz të paaftë.

DARIO KODRA: Kjo do të thotë që arti për këta njerëz nuk ka asnjë vlerë.

ENY BIDULI:Në vend që të shfrytëzohet mundësia që këto site arkeologjike të shtojnë vlerat e qytetit, po ndodh e kundërta. Po, Ministria e Turizmit pse nuk thotë asgjë?

ANDI PAPA:A thua që fjala jonë të jetë më e fortë se fitimi i tyre? Ishalla do Zoti është. Të ndërtosh në këto zona, të djegësh bibliotekën e shtetit, të groposësh historinë, prejardhjen, nuk e di, ata qofshin që bëjnë planimetri të tilla.

INDRIT MEMA: Nuk më duket çudi që për qëllime fitimi të bëhet çdo gjë. Neve na pëlqen t’a shkatërrojmë të kaluarën, prejardhjen.

INDRIT NINA: Këto janë tematika që ne i diskutojmë dhe japim opinionet tona në forum, duke i transmetuar në komunitet nëpërmjet gazetës Dyrrah.

VLADIMIR SULEJMANI: Jetojmë në Durrës ku çdo gjë mund të ndodhë. Por kjo është e pa tolerueshme!

ELI ENES:Po për çfarë të protestojmë më parë? Ka shumë gjëra për të cilat une them t’i ç’bëjmë ato gjëra të gabuara, të cilat janë bërë me dhimbje po që duhen bërë me një lëvizje radikale që do ishte e mirëpritur.

LEONARD XHAXHO: Kur UNESCO ne 1991 u dërgoi një notë proteste qeverisë Serbo-Malazeze, të cilët po bombardonin Dubrovnikun, një nga qytetet më të vjetër të botës që është dhe pasuri e UNESCO-s, gjenerali malazez përgjegjës për artilierinë e topave mbi Dubrovnik deklaroi: “Ne do t’a shkatërrojmë Dubrovnikun dhe pasi t’a fitojmë luftën do të ndërtojmë një Dubrovnik edhe më të bukur, por edhe më të vjetër nga ç'ishte!”

ALMA KETA OSHAFI: Më datë 1 Maj, isha në Tiranë dhe im bir më pyeti: Mami, çfarë ka nga lashtësia Tirana? Dhe unë fillova t’i tregoja për disa nga muzeumet, të cilat flasin për historinë. Jo, jo- vazhdoi ai, unë them përshembull: siç ka Durrësi murin e lashtë, Kullën e Torrës, Bukuroshen e Durrësit etj. Ah,- ia ktheva, por këto nuk i ka, sepse Tirana është qytet shumë më i ri sesa Durrësi. Po atëherë pse nuk është Durrësi kryeqytet i Shqipërisë, meqenëse është kaq i lashtë, por është Tirana?,-më pyeti im bir. Prandaj ju bëjmë thirrje atyre që kanë në plan të bëjnë ndërtime mbi Lashtësinë e qytetit tonë: Mos na e murosni historinë, çojeni vizionin shumë më larg, që të vazhdojmë të krenohemi me qytetin tonë të lashtë dhe të kemi ç'tju lemë pas brezave që do të vijnë.

GIUSEPPSE KOTORI: Faleminderit për mesazhin! Ju them se fëmija juaj ka shumë të drejtë. Ata duhet të dinë gjithçka që ka mbetur nga lashtësia. Arkeologjia është baza për të demostruar origjinën dhe realitetin shqiptar të mohuar deri tani. Por fatkeqësisht në Shqipëri zbulohen reliket dhe mbulohen, ose nuk vlerësohen, lihen pa u studiuar në harresë, kjo është fatkeqësi.

RENATO LLUKACI: Ne durrsakët shquhemi për këtë menefregizëm, kjo na dallon nga të tjerët, janë muhabete të bëra shumë e shumë herë, problemi është se aq sa kanë bërë në këtë qytet nuk do bëjnë më, sepse nuk ka më vend për të tjera.

ARBANA ARTUR DAJA: Po ata të cilët bëjnë planin rregullues nuk janë nga Durrësi? E dinë shumë mirë çfarë është Durrësi, atë që përfaqëson, çfarë ka në nëntokë, por përsëri miratojnë këto plane rregullues. Nuk u intereson aspak, për ata është vetëm biznes.

KUJTIM FUSHA: Durrsakë, janë dhe ata Arbana! Por durrsakë që ia kanë shitur shpirtin parasë.

ARJONA KOÇILLARI: Kjo gjë ka ndodhur shpesh. Sa e sa ndërtesa mbajnë nën vete zbulime të ndryshme arkeologjike, por që të miratohet edhe plani rregullues në këtë mënyrë, nuk mundem t’a besoj.

GIUSEPPSE KOTORI: Unë mendoj se përveç mendimeve shumë me vlera, duhet t’i drejtohemi nëpërmjet postës elektronike, Bashkisë së Durrësit dhe Prefektit.