Deputeti socialist Plarent Ndreca ka dalë nga ambientet e SPAK ku u paraqit ditën e sotme teksa ka bërë dhe një deklaratë të shkurtër për mediat. Ndreca tha se është thirrur “në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e çështjes”. Ai theksoi se nuk mund të japë detaje, pasi “bëhet fjalë për një çështje që vijon të jetë nën hetim”.
Më parë Plarent Ndreca është marrë i pandehur, lidhur me procedurat për rikonstruksionin e 4 komisariateve në vend, në kohën kur ai ishte sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme. Kallëzimi në SPAK u bë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili dyshon se zyrtarët kanë lejuar mospërputhje dhe devijime ligjore në garën për ndërhyrje në Komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë.
Sipas KLSH-së, gjatë kontrollit u gjetën mospërputhje dhe devijime ligjore, si pasojë e shkeljeve të dispozitave ligjore në procedurat e prokurimit publik, të cilat kanë cënuar barazinë e pjesëmarrësve në tendera. Po ashtu, ka pasur edhe rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit. Procedurat janë kryer kur kjo ministri drejtohej nga Sandër Lleshaj, teksa është duke u hetuar edhe një tjetër tender i kësaj periudhe që ka të bëjë me uniformat e Policisë së Shtetit.