Didie Deshamp ka vendosur që të autorizojë vizita nga familjet e lojtarëve dhe stafit. E fundit në rend kohor ka qenë dje dhe duket se diçka e tillë është pritur mirë nga të gjithë, përveç mediave që kanë qenë kritike pasi i druhen shpërqendrimit të lojtarëve. Duhet thënë se në turnetë e mëparshëm, takimet te Franca lejoheshin vetëm pas sigurimit të kualifikimit për ndeshjet me eliminim direkt. Didie Deshamp, në konferencën për shtyp, pranoi se synon të ndryshojë ekuilibrat e njëkohësisht të sigurojë që sot në orën 17:00 biletën për në fazën paraardhëse të Botërorit.

Ndieni presionin e të qenit tri pikë larg objektivit të parë?

Mund të mjaftojë edhe një pikë, por nuk është kjo mendësia. E dimë kë kemi përballë dhe ndeshjet e fundit kanë treguar se Danimarka ka qenë më e fortë ndaj nesh. Do të futemi në fushë me planin tonë dhe pas 90 minutave do të shohim çfarë do të kemi bërë. Presioni është normal pasi jemi në Kupën e Botës.

A nuk përbën shpërqendrim vizita e familjeve një ditë para ndeshjes?

Forma fizike e djemve është e mirë, por kanë nevojë që mendjet e tyre të shpërqendrohen ndonjëherë. Për këtë arsye jeta sociale është shumë e rëndësishme. Ndoshta nuk mund të na japë fitoren, por një gjendje e rënduar psikologjike mund të na shkaktojë humbjen. Vizitat e miqve dhe familjeve bëjnë vetëm mirë.

Si është gjendja me qendërmbrojtësit?

E dini të gjithë që Lukasi (Hernandez) është operuar, teksa Varani është gati. Edhe në rast emergjence, kemi lojtarë si Konate apo Upamekano që janë në lartësinë e duhur. Pa harruar që Kunde e Pavar mund të përshtaten në qendër. Zgjedhjet e mia i bëj në bazë të formës, por edhe përvojës e Varan ka me shumicë.

Përse kombëtare si Argjentina dhe Gjermania u rrëzuan keqazi në ndeshjet e para?

Nuk dua të flas për asnjë skuadër tjetër. Ndeshjet nuk i kam parë të gjitha, sepse kemi qenë duke u stërvitur e ndonjëherë kam pasur punë të tjera. Ndeshjet e dyta do të kenë shumë rëndësi, por nuk është momenti për llogari pasi herët a vonë në Botëror duhet të përballesh me dikë të fortë. Aktualisht duhet të mendojmë për Danimarkën e të mos bëjmë si të bukur apo ‘gjelat’ e situatës. Përballë do të kemi një ndër ekipet më të nënvlerësuara të këtij Botërori.