Keqinformimi është përhapur në platformën e mediave sociale “X” të Elon Musk për sulmin e befasishëm të militantëve të Hamasit në Izrael, me përdorues që ndajnë pretendime të rreme dhe mashtruese për konfliktin.
Përdorues të shumtë gjatë fundjavës shpërndanë një njoftim të rremë për lajmet e Shtëpisë së Bardhë duke pretenduar në mënyrë të rreme se SHBA-ja po i dërgonte miliarda dollarë ndihmë të reja Izraelit si përgjigje. Llogaritë në “X” me qindra mijëra ndjekës në total e përhapën shpejt njoftimin për shtyp të Shtëpisë së Bardhë pasi u shfaq në internet të shtunën. Ndikuesi i mediave sociale, Jackson Hinkle, i cili ishte në mesin e atyre që ndanë publikimin e rremë, pretendoi se ishte një shuplakë në fytyrë për Ukrainën, e cila i është lutur Uashingtonit për më shumë para për t’u mbrojtur nga Rusia.
Vetë Musk shtoi kaosin e informacionit të dielën duke rekomanduar përdoruesit e “X” të ndjekin konfliktin Izrael-Hamas nga një llogari e njohur për përhapjen e dezinformatave, përfshirë edhe një raport të rremë në fillim të këtij viti për një shpërthim në Pentagon.
Musk dhe Hinkle më vonë fshinë postimet e tyre. Musk më vonë postoi : “Si gjithmonë, ju lutemi përpiquni të qëndroni sa më afër të vërtetës që të jetë e mundur, edhe për gjërat që nuk ju pëlqejnë.”
Diku tjetër në “X” (i njohur më parë si Twitter), një llogari që imitonte Jerusalem Post ndau një raport fals se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ishte shtruar në spital. (Llogaria u pezullua më vonë.)
CNN ka kërkuar koment nga Musk dhe “X” mbi postimet që lidhen me konfliktin Izrael-Gaza. Një mori videosh dhe postimesh dezinformuese u bënë virale në platformë gjatë fundjavës.
Një video që supozohet se tregonte gjeneralët izraelitë pasi u kapën nga luftëtarë të Hamasit, u pa më shumë se 1.7 milionë herë deri të hënën. Megjithatë, në të vërtetë videoja tregon ndalimin e separatistëve në Azerbajxhan.
Një tjetër postim i parë më shumë se 500,000 herë në “X”, supozohej se tregomte rrëzimin e një aeroplani me hashtagun #PalestineUnderAttack. Videoja është në fakt një klip nga video loja Arma 3, siç u vu re më vonë në një “shënim të komunitetit” bashkangjitur postimit.
Shënimet e komunitetit lejojnë përdoruesit në “X” të kontrollojnë faktet e postimeve të rreme në platformë. E ndërsa shënimet iu bashkëngjitën të dyja këtyre postimeve të rreme, ato shpesh vijnë pasi një postim i rremë është parë mijëra, ose në disa raste miliona herë.