Asnjë durrsak nuk e kishte menduar ndonjëherë më parë që do të vinte një ditë që për të bërë plazh do qëndronin edhe mbi gurë.

Kjo po ndodh me banorët e lagjes nr.1 në Durrës, të cilët i kanë blerë shtëpitë e tyre në zonën turistike të qytetit për të patur detin sa më afër, por deti iu ka "ikur" me milje larg.

Në këto ditë përvëluese të gjithë i janë drejtuar detit për t'u freskuar nga i nxehti i madh, por  edhe aty ku gjendej një copë e vogël plazhi publik është zaptuar nga privati, i cili shezlonët dhe çadrat i vendosi aty ku qëndronin banorët e lagjes ndër vite.

Në këto kushte, banorëve iu ka mbetur vetëm të freskohen te gurët e Sfinksit, që për hir të së vërtetës duhet thënë që kanë mbledhur shumë minj në boshllëqet e tyre.

Ca nga mosvëmendja e strukturave të shtetit që merren me fushatën elektorale e ca nga babëzia e madhe e pronarëve dhe subjekteve që zunë të gjithë hapësirën e plazhit në këtë zonë, ndërsa edhe grumbujt e plehërave që pastrojnë nga zona e tyre i lënë po në kufij duke mos i hequr nga bregu.

Kësisoj vogëlushët me prindërit e me gjyshërit në këto ditë të nxehta qëndrojnë mbi gurë, sepse të drejtat e tyre nuk i mbron askush e në rastin konkret, kërkesat e qytetarëve janë jetime. Ndjekim pamjet

K.H.