Policia e Durrësit ka parandaluar trafikimin e dy vajzave drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Duke finalizuar me sukses operacionin e koduar "Black Hats", Specialistët për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë, arrestuan në flagrancë tre të rinj nga Durrësi, të cilët trafikonin dhe shfrytëzonin femra për prostitucion kundrejt pagesës 100-300 €.

Pas një hetimore 2-mujore me metoda speciale dhe të mirëorganizuar, u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve:

• Fitim Dumani 29 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale "Trafikimi i personave të rritur";

• Reinaldo Greca 28 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale "Trafikimi i personave të rritur";

• Denis Shaba 28 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale "Shfrytëzim prostitucioni".

Nga veprimet hetimore të kryera për rreth 2 muaj u dokumentua me prova ligjore se Denis Shaba ishte personi që gjente dhe shfrytëzonte me qëllim prostitucioni femra, ndërsa Fitim Dumani dhe Reinaldo Greca kishin si qëllim trafikimin e tyre në shtetet fqinje.

100-300 € nata, si kryhej aktiviteti

Aktiviteti kriminal kryhej zakonisht në zonën e Plazhit, ku shtetasit e mësipërm në rolin e ndërmjetësve dhe tutorëve gjenin klientët, kundrejt pagesës 100 – 300 €.

Në sajë të një vëzhgimi të pandërprerë dhe profesional nga ana e Specialistëve për Hetimin e Trafiqeve është bërë i mundur parandalimi i trafikimit të dy vajzave drejt Italisë.

Specialistët kanë ndërhyrë dhe kanë kapur në flagrancë shtetasit Fitim Dumani dhe Reinaldo Greca, në PKK Durrës, në momentin për t'u larguar për në Itali, për të trafikur dy shtetaset me iniciale K.B. 18 vjeçe dhe K.L. 19 vjeçe.

Policia thekson se shtetaset K.B. dhe K.L. janë viktima të trafikut dhe janë akomoduar në një qendër sociale.

Vijon puna për zbulimin dhe dokumentimin e personave të tjerë të implikuar në këtë rrjet kriminal dhe personave të përfshirë në këtë veprimtari që i prisnin viktimat në shtetin fqinj.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme për veprat penale:

• “Shfrytëzim prostitucioni” në ngarkim të shtetasit Denis Shaba  parashikuar në nenin 114 të Kodit Penal;

•“Trafikimi i personave të rritur” në bashkëpunim në ngarkim të shtetasve Fitim Dumani dhe Reinaldo Greca  parashikuar në nenin 110/ a  të Kodit Penal.