Policia ka arrestuar katër persona në Korçë, pasi janë ndaluar në flagrancë duke transportuar 4 emigrantë të paligjshëm kundrejt pagesës.

Në pranga kanë përfunduar shtetasit J. D., 18 vjeç; R. P., 20 vjeç, banues në Korçë, të cilët u ndaluan në aksin rrugor Korçë-Pogradec.

Gjithashtu nga ana e policisë së Pogradecit u arrestuan dhe dy shtetas të tjerë për të njëjtën veprimtari kriminale.

E. M., 20 vjeç dhe J. H., 20 vjeç, banues në Tiranë, u arrestuan në flagrancë duke transportuar 3 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit 400 euro secilit, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Njoftimi i plotë i policisë:

Goditen 2 raste të tjera në Korçë e Pogradec, të veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.

U kapën duke transportuar 7 emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 4 shtetas.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Forcat e Posaçme “Shqiponjat” dhe Sektorin e Policisë Rrugore, në vijim të operacionit policor të koduar “Perimetri”, për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, kanë goditur dy raste të tjera, si rezultat i të cilëve u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve J. D., 18 vjeç; R. P., 20 vjeç, banues në Korçë dhe E. M., 20 vjeç; J. H., 20 vjeç, banues në Tiranë.

Shërbimet e policisë kanë konstatuar në aksin rrugor Korçë-Pogradec, pranë fshatit Podgorie, mjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin R. P. dhe pasagjer shtetasin J. P., me të cilin po transportonin 4 emigrantë të paligjshëm.

Si edhe në lagjen nr. 3, Pogradec, shërbimet e Policisë Rrugore kanë kapur mjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin E. M. dhe pasagjer J. H., duke transportuar 3 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit 400 euro secilit, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Materialet i kaluan Prokurorive së Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.