Një aksident i rrallë ndodhi në Miami, kur një motoskaf luksoz Lamborghini Tecnomar, me vlerë 4.5 milionë dollarë, u mbyt ndërsa transportonte 30 influencuese të veshura me bikini.
Ngjarja ka tërhequr vëmendje të madhe për shkak të vlerës së anijes dhe pasagjerëve të saj. Edhe pse shkaku zyrtar i fundosjes nuk është bërë ende publik, raportet paraprake theksojnë se sipas specifikimeve teknike, mjetit i lejohet të mbajë vetëm pesë pasagjerë dhe dy anëtarë të ekuipazhit — pra shumë më pak se numri real i të pranishmëve në bord.
Në disa video të postuara nga vetë influencueset në rrjete sociale, varka duket se fundoset papritur, teksa ato po festonin me muzikë, vallëzim dhe shampanjë. Pamjet tregojnë të rejat me forma trupore të dallueshme, të veshura me jelekë shpëtimi portokalli, duke pritur ndihmën. Njëra prej tyre dëgjohet teksa bërtet e frikësuar.
Megjithatë, aksidenti nuk duket se ndikoi seriozisht në humorin e pasagjereve. Pasi u shpëtuan, disa prej tyre vazhduan të kërcenin dhe të qeshnin në breg. Njëra prej influencueseve madje arriti të marrë me vete një shishe tekilë me vlerë 330 dollarë dhe, duke e ngritur lart, bërtiti me entuziazëm: “Bebja është shëndoshë e mirë!”
Roja Bregdetare e Miamit, e cila ndërhyri për operacionin e shpëtimit, ka nisur një hetim zyrtar, duke u përqendruar në dyshimet për mbingarkesë, pasi motoskafi 20 metra i gjatë ishte dukshëm jashtë kapacitetit të lejuar.