Sezoni i kaluar i Formulës 1 pa të shpallet kampion Max verstappen, me një triumf të çmendur në garën e fundit në Abu Dhabi, ku polemikat ishin të shumta pikërisht në lidhje me menaxhimin e përdorimit të makinës së sigurisë.Lewis Hamilton, që kishte dominuar garën dhe ishte pranë titullit kampion, u parakalua vetëm në xhiron e fundit, pasi u befasua nga vendimi i drejtuesve për të hequr makinën e sigurisë dhe për të lejuar parakalimet.

Drejtori i garave, Michael Masi ishte ai që pagoi për polemikat e shumta, pasi u shkarkua nga detyra, ndërsa bordi i organizatorëve të Formulës 1 kanë menduar të shmangin polemikat, duke ndryshuar edhe rregulloren e përdorimit të makinës së sigurisë.

Sezoni i ri i Formulës 1 do të startojë në Bahrein më 20 mars, teksa drejtuesit synojnë që me aplikimin e rregullores së re, të mos ketë vend për interpretime të ndryshme dhe në këtë mënyrë të shmangen polemikat.