Pasi u trondit disa ditë më parë, kur u vra në krye të detyrës numri 1 i komisariatit të Shijakut, kryekomisar Adem Tafili, efektivët e policisë së qytetit të vogël kanë përjetuar një tjetër ngjarje tronditëse që ka vënë në alarm efektivët blu. Paraditen e së premtes një person i veshur me uniformë policie ka shkuar në ambientet e komisariatit të Shijakut dhe ka kanosur efektivët që ishin në shërbim.
Sipas policisë, shtetasi Idlir Dervishi, 37 vjec, banues ne Katund Sukth Durrës, ka shkuar i veshur me uniformën e policisë dhe ka qëlluar dhe ofenduar oficerin e shërbimit, por dhe efektivëve të tjerë që ndodheshin aty. Me anë të një njoftimi për shtyp policia bëri të ditur se: “Në oren 15.30 u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale të “Kanosjes për shkak të detyrës”, “Mosbindjes ndaj urdhërave të ligjshëm të punonjësve të Policisë së Rendit Publik”, “Mbajtjes pa të drejtë të uniformës”, “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve të ftohta” i shtetasit Idlir Dervishi, 37 vjec, banues në Katund Sukth Durrës.
Ky shtetas, rreth orës 09.00 të datës 21 shtator, para godinës së Komisariatit të Policisë Shijak ka kanosur punonjësit e policisë në detyrë, nuk iu është bindur urdhërave të tyre, ka mbajtur pa të drejtë uniformën e Policisë së Shtetit dhe gjatë kontrollit personal i është gjetur me vete një thikë, e cila i plotëson kushtet e klasifikimit si armë e ftohtë”,- bëri të ditur policia.
Kjo është ngjarja e dytë e rëndë në harkun kohor të një jave, kur blutë e Shijakut vihen para një prove të rëndë. Të tronditur nga vrasja në detyrë e shefit të komisariatit, Adem Tahiraj, të gjitha komisaritet e policisë së qarkut Durrës kanë intensifikuar masat për ndalimin e personave me prirje kriminale.