Policia e Vlorës pas një aksioni të organizuar sot ka vënë në pranga një 38-bvjeçari i konsideruar me rrezikshmëri të lartë, i cili është identifikuar si Endrit Sadedini.
Po ashtu në një tjetër operacion po sot në Vlorë është zbuluar edhe një shtëpi bari.
Njoftimi i policisë së shtetit:
Falë bashkëpunimit dhe koordinimit të veprimeve dhe shkëmbimit të informacionit mes Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Danger”, u bë e mundur që në lagjen “Pavarsia”, pranë Lungomares, të kapej një person me rrezikshmëri të theksuar shoqërore, i cili lëvizte i armatosur.
Bazuar në informacionet e inteligjencës policore dhe pas një operacioni të mirëkoordinuar, shërbimet operacionale bënë të mundur lokalizimin, neutralizimin dhe kapjen e shtetasit E. S., 38 vjeç, person me precedentë penalë të theksuar, i arrestuar dhe i hetuar më parë nga autoritetet e huaja për vepra penale të rënda në fushën e krimeve kundër personit.
Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë, së bashku me një karikator me municion luftarak.
Shtetasi Endrit Sadedini, në momentin që pa shërbimet e Policisë, tentoi të largohej dhe iu ka drejtuar armën e zjarrit shërbimeve të Policisë, por s’ka mundur të qëllojë apo të largohet, pasi, falë profesionalizmit të forcave të Policisë, është bërë e mundur neutralizimi dhe arrestimi i tij.
Arma e zjarrit do t’i nënshtrohet ekspertizës balistike për të verifikuar nëse është përdorur në ngjarje kriminale të mëparshme.
Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje është proceduar në gjendje të lirë për moskallëzim krimi shtetasi M. Sh., 33 vjeç, i cili lëvizte bashkë me 38-vjeçarin, tashmë të arrestuar.