Policia e Durrësit ka dalë me një njoftim për mediat, ku informon mbi angazhimin e uniformave blu për shoqërimin dhe sigurinë e materialeve zgjedhore.

Në përfundim të procesit të votimit, punonjësit e Policisë në të gjithë territorin e qarkut Durrës, sipas kërkesës së Komisioneve të Qendrave të Votimit, janë afruar në pritje për të bërë shoqërimin e kutive të votimit me materialet zgjedhore.

Ky proces ka filluar pas orës 19:00 të datës 11 maj 2025 dhe aktualisht po vijon normalisht, pa asnjë incident.

Deri në këto momente, nga punonjësit e Policisë janë shoqëruar dhe dorëzuar në Vendin e Numërimit të Votave materialet zgjedhore të 200 qendrave votimi. Ndërkohë në total në rang qarku janë 493 QV dhe vijon puna për dorëzimin e pjesës tjetër.

Gjithashtu, janë marrë të gjitha masat për ruajtjen e ambienteve të Vendit të Numërimit të Votave.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës është maksimalisht e angazhuar për të garantuar rendin dhe sigurinë, si dhe vendnumërimin e votave, deri në përfundim të këtij procesi.