Policia e Shtetit ka shpallur garën për emërimin e drejtuesve në pesë komisariate të rëndësishme në vend, pas disa dorëheqjeve dhe lëvizjeve të brendshme.
Konkretisht, janë hapur pozicionet për drejtimin e:
Komisariatit nr. 2 në Tiranë
Komisariatit të Himarës
Komisariatit të Policisë Kufitare në Aeroportin e Rinasit
Komisariatit të Policisë Kufitare në Dibër (në varësi të DVKM Kukës)
Komisariatit të Policisë Kufitare në Sarandë (në varësi të DVKM Vlorë)
Dy nga këto vende janë hapur për shkak të dorëheqjeve të fundit. Shefi i Komisariatit të Himarës, Neritan Buzi, u largua pak ditë më parë, ndërsa shefi i Komisariatit nr. 2 në Tiranë, Ritvan Pali, dha dorëheqjen disa javë më parë, pas arrestimit të ish-policit Altin Morina nga struktura që ai drejtonte.
Aktualisht, nuk është shpallur ende gara për drejtuesit e departamenteve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ndërkohë, procesi i riorganizimit vijon si pjesë e një reforme më të gjerë në radhët e policisë.