Një 16-vjeçar ka rrezikuar të mbytej në zonën e “Vaskës së Marinës” në Shëngjin, pasi kishte rrëshqitur nga gurët dhe e kishte të vështirë notimin për shkak të problemeve shëndetësore.
Në ndihmë të tij kanë shkuar menjëherë shërbimet e Policisë Kufitare të Durrësit, të cilat e lokalizuan dhe e nxorën në breg me mjet lundrues.
Më pas, i mituri u transportua në spitalin rajonal të Lezhës për ndihmë mjekësore dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.
Njoftimi i plotë:
✅Shërbimet e DVKM Durrës, me mjet lundrues, i shkojnë në ndihmë, një të mituri që rrezikoi të mbytej në det.
Menjëherë pas njoftimit se në hapësirën e quajtur “Vaska e Marinës”, Shëngjin, një i mitur që kishte rrëshqitur nga gurët e skalierës, rrezikonte të mbytej, sepse për shkak të problemeve shëndetësore, e kishte të vështirë notimin, shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës u nisën drejt zonës së sinjalizuar.
16-vjeçari u lokalizua dhe mori ndihmë të menjëhershme nga shërbimet e Policisë.
Gjithashtu, i mituri u nxorr me mjet lundrues, në breg, dhe u transportua për ndihmë të specializuar mjekësore, në spitalin rajonal të Lezhës, në gjendje të mirë shëndetësore.
Policia e Shtetit fton qytetarët që të kontaktojnë Policinë, në çdo rast nevoje, dhe garanton se ndihma do të jetë e menjehershme dhe profesionale.





