Mbi tre mijë fidanë dhe bimë kanabis janë zbuluar në Malin e Rrencit nga Policia e Lezhës. Gjatë ndërhyrjes nga efektivët në zonë, u arrestua në flagrancë 30-vjeçari S. B., alias S. M.

I riu nga Shkodra ishte i shpallur në kërkim ndërkohë për plagosje të lehtë me dashje. Në vijim të aksionit, policia shpalli në kërkim vëllain e të arrestuarit, një 25-vjeçar me iniciale M.B dhe një 30-vjeçar me iniciale F.F.

“Të dy vëllezërit, S. B. dhe M. B., rezultojnë persona të shpallur në kërkim nga DVP Shkodër,  për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim”, njoftoi policia.

Gjatë operacionit në Malin e Rrencit, policia sekuestroi një armë gjahu që dyshohet se përdorej për ruajtjen e parcelës. Sa i përket lëndës narkotike pjesa më e madhe u dogj, ndërsa një pjesë tjetër u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.