Kryeministri Edi Rama, ashtu si çdo përvjetor, vendosi sot kurora me lule në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, atje ku u vranë 4 protestues më 21 janar 2011.

Pak pas orës 11:00, kreu i qeverisë doli nga Kryeministria dhe i shoqëruar nga të afërmit e 4 viktimave dhe përfaqësues të tjerë të Partisë Socialiste vendosi kurora me lule në Bulevard.

Sot mbushen tetë vite nga 21 janari i vitit 2011, kur Garda e Republikës hapi zjarr ndaj protestuesve të thirrur nga Partia Socialiste para Kryeministrisë, duke vrarë katër protestues të pafajshëm dhe plagosur gjashtë të tjerë.

Nga protesta mbetën të vrarë; Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite. Ajo që nuk është përcaktuar ende është arma nga u qëllua Aleks Nika, sepse plumbi që kishte bërë rikoshet rezultoi mjaft i dëmtuar.